Tensionet në Kosovë janë me intensitet më të ulët dhe nuk do të ndikojnë në sigurinë e vendit tonë, theksoi presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski gjatë vizitës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtatmadhorisë së ARM-së, në lidhje me idenë e mundshme për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë Pendarovski mendon se është shumë e papërgjegjshme dhe anakronike.
Ministrja e Mbrojtjes Radmila Sheqerinska deklaron se cënimi i sigurisë te fqinjët gjithomë ka pasoja, por me anëtarësimin në NATO Maqedonia fiton garanci shtesë.
“Në vend që vetëm të kemi frikë, ne si shtet dhe si qeveri vendosëm të veprojmë. Për këtë arsye në vitin 2017 e vendosëm në qendër të vëmendjes anëtarësimin tonë në NATO, që të sigurojmë vendi ynë të ketë garanci sigurie shtesë, qoftë edhe në rast të jostabilitetit rajonal.” tha Radmila Sheqerinska, Ministre e Mbrotjes.
Përndryshe pas aksionit të forcave speciale të Kosovës dhe arrestimeve në pjesën veriore të Kosovës u rritën tensionet në mes Kosovës dhe Serbisë, me çka pastaj presidenti serb urdhëroi rritjen e gatishmërisë luftarake të Armatës serbe. Intensiteti i tensioneve u zvogëlua, por nuk ka garanci, porositë verbale të politikanëve vazhdojnë në të dy vende. /Klan Maqedoni/