close

SHGM: NDRYSHIMET E LShMAA-së LËNË HAPËSIRË PËR MANIPULIM

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë ka reaguar sot pas ndryshimeve të fundit që u bënë ditën e djeshme në lidhje me ligjin për Shërbime Mediatike Audio e audiovizuele dhe të Kodit Zgjedhor. Sipas kësaj shoqate këto ndryshime lënë hapësirë për manipulime.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka reaguar ndaj ndryshimeve të fundit të Ligjit për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (LShMAA) dhe të Kodit Zgjedhor të cilët më 4 shkurt u miratuan në procedurë të shkurtuar nga Kuvendi, për shkak që siç u theksua, moskonsultimit me bashkësinë gazetareske.

‘Ndryshimet e LShMAA që i referohen nenit 102 në pjesën e ndalimeve të reklamimit mundësojnë që institucionet publike në nivel qendror dhe lokal të vazhdojnë t’i financojnë radiodifuzerët në rast se me ato kanë nënshkruar kontrata për bashkëpunim që vlejnë edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kjo lë hapësirë, që ky nen i ligjit lehtë të abuzohet dhe në të ardhmen t’u paguhen mediave para publike pavarësisht nga ndalimi deklarativ i tyre.’ theksojnë nga SHGM-ja.

Nga SHGM, poashtu theksojnë se pagesa e mediave private gjatë fushatave zgjedhore cënon pavarësinë e të njëjtave dhe mënyrën se si ato i paraqesin kandidatët politikë.

‘Rikujtojmë se edhe Kodi Zgjedhor në pjesën e fushatave zgjedhore, parasheh që fushatat politike të paguhen në mediat private drejtpërdrejtë nga buxheti i Republikës së Maqedonisë. Qëndrimi i SHGM-së është konzistent dhe i qartë, se përderisa me para publike paguhen fushata të partive politike, cenohet pavarësia e mediave dhe mënyra se si ato do të paraqesin kandidatët para publikut gjatë fushatave zgjedhore, ndërsa kjo mund të ndikojë edhe në rezultatet e zgjedhjeve.’deklarojnë nga SHGM-ja.

Njëkohësisht, nga SHGM përshëndesin ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kanë të bëjnë me mediat online ku Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve i është hequr detyra për të monitoruar punën e mediave online gjatë fushatave zgjedhore. Këto ndryshime, siç theksojnë nga kjo shoqatë janë në pajtim me rekomandimet e mëhershme të SHGM-së, por edhe me ato të Këshillit të Evropës, sipas të cilëve nuk ekziston metodologji me të cilën shteti mund të vlerësojë a raportojnë në mënyrë (jo)profesionale mediat online gjatë proceseve zgjedhore. /Blerona Jakupi/