close
Top LajmeVendi

SHGM: Torturohen gazetarë nga nëpunës të Higjienës Komunale, MPB urgjentisht të reagojë

shgm-2048×1448

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) e dënon veprimin e nëpunësve të sektorit për marrëdhënie me opinionin dhe të sigurimit të “Higjienës Komunale – Shkup” të cilët sot në mënyrë serioze i kanë shkelur të drejtat e gazetarëve Furkan Saliu dhe Avni Tahiri, përmes marrjes së dhunshme të pajisjes së tyre dhe ndalimin e paligjshëm kundër vullnetit të tyre thuhet në njoftimin e SHGM-së.

Sipas kolegëve, kjo ngjarje skandaloze ka ndodhur sot në hapësirat e kësaj ndërmarrje publike në Shkup. Në këtë incident një nëpunëse e cila është prezentuar si përgjegjëse për marrëdhënie me opinionin, pas një debati paraprak verbal me dy gazetarët, kolegut Saliu ia ka marrë telefonin dhe ka refuzuar që ti’a kthejë.

Një të njejtën kohë, tre anëtarë të sigurimit nga Drejtoria e “Higjienës Komunale – Shkup”, kundër vullnetit të tyre të dy gazetarët i kanë ndaluar në hapësirat e këtij institucioni dhe të njëjtit janë liruar madje pasi kanë arritur pjesëtarët e MPB-së të cilët kanë ardhur shpejtë pas një denoncimi paraprak nga gazetari Tahiri.

Nga SHGM thonë se incidenti në fjalë paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të gazetarëve dhe pengim në punën e tyre si dhe të drejtën për lëvizje të lirë. Kolegët Saliu dhe Tahiri kanë caktuar në mënyrë të rregullt një takim me përfaqësues të marrëdhënieve me publikun për një raport lidhur me çështjet e marrëdhënieve të punës në këtë institucion dhe kishin detyrimin t’u përgjigjeshin pyetjeve të gazetarit, dhe jo t’ua merrnin pajisjet dhe t’i mbanin në mënyrë të paligjshme kundër dëshirës së tyre në hapësirat e ndërmarrjes publike.

Prandaj SHGM kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme menjëherë ta hetojë këtë rast dhe ta njoftojë opinionin për këtë veprim të palejueshëm ndaj gazetarëve nga nëpunësit e Ndërmarrje Publike “Higjiena Komunale – Shkup”. Përveç kësaj, kërkojmë nga drejtoresha e sapo emëruar e këtij institucioni, Kosana Mazneva, urgjentisht ta hetojë procedurën e të punësuarve dhe të nisë masa disiplinore në kuadër të kompetencave të veta ligjore thuhet mes tjerash në njoftimin e SHGM-së .

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia