Ruskovska: Nuk janë përmendur politikanë në dëshminë e Kamçevit
Këshilli i prokurorëve publik sot në seancë të mbyllur i shqyrtoi materialet dëshmuese në bazë të të cilave duhet të vërtetojë nëse ka elemente për shkarkimin e shefes së PSP-së Katica Janeva. Prokurorja për ndekjen e krimit të lartë dhe korrupsionit Vilma Ruskovska e cila më shumë se tri orë i referoi materialet dëshmuese për rastin “Zhvatja” deklaroi se prokuroria e di se ku janë një pjesë e parave, ndërsa hetimet janë intensifikuar.
Siç thuhet në nenin 18 të ligjit për prokurori speciale Këshilli i prokurorëve publik në seancën e sotme analizoi nëse ekzistojnë elemente për përfshirje të prokurores Katica Janeva në rastin “Zhvatja. Dëshmi disaorëshe dha shefja e prokurorisë për ndjekjen e krimit të lartë dhe korrupsionit Vilma Ruskovska.
“Unë ua prezantova faktet të cilat i kemi mbledhur deri tash, dëshmi të dëshmitarëve, procesverbalet për pranimin e kallëzimeve penale nga njëri dëshmitar, të cilat i ka incizuar dhe na i ka dhënë.” –tha Vilma Ruskovska-Prokurore.
Marrja e sërishme në pyetje e biznesmenit Orce Kamçev për rastin “Zhvatja” ka ndodhur për shkak se prokurorja Ruskovska dhe stafi i saj kanë menduar se ka pyetje pa përgjigje të cilat mund ta ndihmojnë rrjedhën e mëtejshme të hetimeve. Në pyetjen nëse Kamçev ka përmendur politikanë në dëshminë e tij, Ruskovska mohoi, informacionet në opinion kanë qenë të pavërteta.
“Jo, absolutisht. Zaev është përmendur vetëm në pjesën ku Jordan Kamçev tha se është paraqitur te ai, asnjë politikan tjetër nuk është përmendur.” – deklaron Vilma Ruskovska, Prokurore.
Pas deklaratës së sotme të Ruskovskës është e qartë se ajo nuk ka për qëllim t’i nxjerrë para drejtësisë aktorët kryesor në rastin “Zhvatja” – kanë reaguar nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.
“Ruskovska mbrojti Zoran Zaevin, Kikin, Frikin dhe Shekin dhe të gjithë funksionarët e LSDM-së të involvuar në zhvatjen politiko-mediale e të Prokurorisë. Ta bindish opinionin se nuk ka politikanë të implikuar dhe se Boki 13 nuk e ka pasur përkrahjen e pushtetit gjatë zhvatjes është arrogancë dhe nënçmim i intelegjencës së qytetarëve.” -shprehet Dimçe Arsovski, VMRO DPMNE.
Prokurorja Ruskovska theksoi se intensivisht punojnë në hetimet financiare, por nuk ka informacione nëse paratë janë lëshuar në qarkullim. Përndryshe, Këshilli i Prokurorëve Publik mund të fillojë procedurë për shkarkimin e Janevës në bazë të konstatimit për kryerje të paligjshme, joprofesionale dhe të pandërgjegjshme të funksionit. Nëse Këshilli vendos ta shkarkojë Janevën me shumicë votash, duhet të përgatisë Raport, të cilin e dërgon për miratim në Kuvend. Pastaj Kuvendi e kthen raportin për shkarkim në Këshill për vendim final. /Verica Dimitrijevska/