Vlera e projektit kap shumën 46 milionë denarë
Mbi 200 nxënës në fshatin Gurgurnicë të Komunës së Bërvenicës do të mësojnë në shkollën e re që është ndërtuar me Projektin për Përmirësimin e Shërbimeve Komunale të Ministrisë së Financave, që u realizua me ndihmë nga Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian.
46 milionë denarë është vlera e ndërtimi i shkollës fillore në fshatin Gurgurnicë të Komunës së Bërvenicës.Përmes projektit janë siguruar 45.5 milionë denarë, nga të cilat 16 milionë denarë janë mjete grant nga BE përmes IPA fondeve, ndërsa tjerat janë hua me kushte jashtëzakonisht të favorshme, me shkallë të kamatës prej 0.4 për qind, me 13 vjet rimbursim dhe 3 vjet periudhë faljeje.
“Arsimimi kualitativ është një nga parakushtet themelore për zhvillim ekonomik më të shpejt dhe më të përmbajtur. Që të mundësohet kjo janë të nevojshme edhe kushtet përkatëse për nxënësit dhe kuadrin arsimor. Kjo shkollë është ndërtuar me ndihmë financiare nga BE dhe Banka Botërore”, tha ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
Ndërsa ambasadori evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar theksoi se me ndërtimin e shkollës së re janë përmirësuar kushtet për mësim të fëmijëve në Gurgurnicë.
“Ky projekt ndoshta është i vogël, por ka shumë rëndësi për nxënësit e Gurgurnicës. Fëmijëve u nevojitet hapësirë përkatëse ku t’i kalojnë ditët shkollore dhe do ta zhvillojnë potencialin dhe vetëbesimin e tyre, tha Zhbogar.
Ministri i Arsimit Arbër Ademi tha se dikasteri që ai drejton do të angazhohet për përmirësimin e infrastrukturës së objekteve shkollore.
Gjithsejtë për ndërtimin e shkollës janë ndarë 475.000 euro. Fondi total i projektit MSIP kap shumën prej 81.1 milion euro, përmes këtij projekti deri më tani janë përkrahur mbi 250 projekte kapitale në gjithë komunat e vendit,ndërkohë që bëhet fjalë kryesisht për projekte si kanalizime, çerdhe, shkolla etj. Ndryshe, shkolla në fshatin Gurgurnicë është ndërtuar pas 30 vite premtimesh. /Blerona Jakupi/