Filipçe: Nuk presim që numri të zvogëlohet
Sipas të dhënave nga Instituti për Shëndet Publik, në klinikën infektive në Shkup janë të shtruar 33 pacientë me fruth, një prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe theksoi se nuk pritet që numri i të prekurve nga fruthi të zvogëlohet, prandaj apeloi që të gjithë ato që deri më tani nuk kanë marrë vaksinën kundër fruthit ta marrin të njëjtën.
Një pacient është në gjendje të rëndë shëndetësore me tromboemboli pulmonare si ndërlikim nga fruthi dhe është hospitalizuar në Departamentin e Kujdesit Intensiv në Klinikën për Sëmundje Infektive. Poashtu, ditët e fundit tre fëmijë dhe dy të rritur me pneumoni janë hospitalizuar me komplikime nga fruthi, deklarojnë nga Instituti për Shëndet Publik. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe deklaroi se çdo ditë në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup ka shtatë deri në tetë raste të reja të fruthit dhe nuk ka ulje të numrit të pacientëve.
‘Dinamika e të sëmurëve me fruth është e njëjtë, nuk presim që numri të zvogëlohet, vlerësime të tilla epidemiologjike janë në të gjitha qytetet. Çdo ditë në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup ka shtatë deri në tetë raste të reja me fruth dhe asnjë zvogëlim në numrin e pacientëve. Mirë është që nuk ka paraqitje të epidemisë në ndonjë qytet tjetër.” –deklaroi Venko Filipçe-Ministër i Shëndetësisë.
Edhe pse ministri Filipçe theksoi që numri i të vaksinuarve deri më tani është i kënaqshëm, ai u bëri apel të gjithë të pavaksinuarve e veçanërisht prindërve që fëmijët të marrin vaksinën MMR (Fruth-Rubeole-Parotit).
‘Edhe vaksinimi shkon me dinamikë të kënaqshme. Rreth 2/3 e fëmijëve në rajonin e Shkupit, të cilët ishin të pa vaksinuar tani janë të vaksinuar. Numri i të sëmurëve me fruth në krahasim me vitet e kaluara tani është më i lartë dhe ka arritur në 850. E përsëris apelin që të vaksinohen të gjithë të pavaksinuarit, veçanërisht fëmijët. Sepse, kjo epidemi në një kohë të shkurtër do të përfundojë.’ –shprehet Venko Filipçe-Ministër i Shëndetësisë.
Nga Instituti për Shëndet Publik vënë në dukje se në klinikë në Shkup, ka gjithsej 33 pacientë me fruth, nga të cilët 16 janë të rritur dhe 17 fëmijë dhe se për shumë nga pacientët nuk ka të dhëna për kalendarin e vaksinimit të tyre. /Blerona Jakupi/