close
Top LajmeVendi

SHKUP: KEMM DHE SHGM DËNOJNË SULMIN FIZIK NDAJ GAZETARES

Screenshot_3

Kërkohet përgjegjësi nga institucionet


Këshilli i etikës në media në Maqedoni dënon sulmin fizik ndaj gazetares së televizionit Kanal 5, Mirjana Mirçevska Jovanoviç, e cila dje gjatë raportimit me rastin e festës ortodokse “Uji i Bekuar” në Shkup, është penguar të kryeje detyrën e saj dhe është sulmuar nga ana e sigurimit duke përfunduar në spital.

“Incidenti i cili është nxitur kur gazetarja ka qenë e sulmuar nga ana e të punësuarve në agjencionin për sigurim “Nikob” të angazhuar nga Kisha Ortodokse e Maqedonisë, paraqet sulm mbi sigurinë e gazetarëve gjatë realizimit profesional të punës së tyre. Për KEMM është i papranueshëm çfarëdo lloji i pengimit të punës së gazetarëve, e cila duhet të jetë e çliruar nga kërcënimet dhe shtypjet”, thonë nga Këshilli i etikës së mediave në Maqedoni.

Edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dënon ashpër sulmin fizik ndaj gazetares duke kërkuar përgjegjësi nga ana e MPB-së dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

“Kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme të reagojë menjëherë dhe të hetojë incidentin duke identifikuar sulmuesin e gazetares, dhe më tej të ngre padi penale për dhunë deri te Prokuroria Publike në Shkup, pas të cilës duhet të nisë procedurë përkatëse. Gjithashtu, kërkojmë nga MPB-ja të hetojë a ka pasur edhe gazetarë dhe punonjës mediatik të tjerë të pranishëm në manifestimin, cilëve iu është cënuar siguria fizike si dhe e drejta për të raportuar lirshëm para publikut.” theksojnë nga Shoqata e Gazetarëve.

Ndryshe, gazetarja Mirjana Mirçevska Jovanoviq, është shtyrë në mënyrë brutale nga ana e të punësuarve të agjencisë për sigurim “Nikob”, të angazhuar me urdhër të Kishës ortodokse maqedonase si organizatore e vetme e evenimentit. Ajo gjithashtu është ofenduar dhe tërhequr, pas çka përfundoi në spitalin e qytetit me lëndime në dorë dhe në qafë. /Klan Maqedoni/

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia