close

SHKUP: RRITET NUMRI I MARTESAVE TË DËSHTUARA

Krahas partnerëve, fëmijët dhe familjarët vuajnë pasojat!


Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë së në vend, numri i divorceve është rritur. Sipas avokatit Miralem Asani, divorcet ndodhin më shpesh tek të rinjtë, menjëherë pas martesës, e sidomos nën moshën 25 vjeçare. Nga ana tjetër psikologu Lulzim Murtezani apelon që të kihet kujdes përpara vendimmarrjes së një martese apo edhe një divorci, sepse që të dyja nismat nuk i prekin vetëm partnerët, por edhe familjarët dhe shoqërinë.

Numri i martesave të dështuara në vend ka shënuar rritje. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës në vitin 2017 numri i divorceve është rritur 0.5 për qind krahasuar me vitin 2016. Sipas avokatit Miralem Asani, rritja e numrit të lëndëve për divorce në gjykata është alarmante. Ai njofton se numri i divorceve reale është gati i barabartë me ato fiktive kur bëhen me qëllim që bashkëshorti të dalë për punë jashtë shtetit.

‘Gati se janë të njëjta dhe për këtë shkak ky problem më shqetëson sepse divorcet reale janë bërë të shpeshta, që tregon se diçka në familjet tona nuk funksionon. Divorcet ndodhin më shpesh tek të rinjtë, menjëherë pas martesës, sidomos nën moshën 25 vjeçare e më poshtë.’ -tha Miralem Asani – Avokat.

Sipas psikologut Lulzim Murtezani pasojat që sjell prishja e martesës janë evidente, por më tepër këto pasoja reflektohen tek fëmijët në formë të pasigurisë, stresit, agresivitetit dhe inferioritetit.

‘Këta fëmijë të prindërve të divorcuar, në përgjithësi, në shoqëri, në jetë, etj kanë vështirësi në aspektin social, në lidhjen e marrëdhënieve me të tjerët, me moshatarët, sidomos kur rriten fëmijët të cilët kanë jetuar me prindër të divorcuar shumica e tyre janë të prirur që të divorcohen, ky është një fakt shkencor. Poashtu, pasojë tjetër e atyre që divorcohen është se vetëbesimi ulet dhe kjo mund të gjenerojë edhe shumë probleme të tjera.’ deklaroi Lulzim Murtezani – Psikolog.

Psikologu Murtezani, apelon që të kihet kujdes përpara vendimmarrjes së një martese apo edhe një divorci, sepse që të dyja nismat nuk i prekin vetëm partnerët, por edhe familjarët dhe shoqërinë.

‘Një lidhje relativisht stabile t’i paraprijë martesës gjatë së cilës me siguri si i riu edhe e reja do të njihen më mirë me njëri – tjetrin, me dobësitë, anët e forta, pozitive, dhe të konstatohet që janë të pjekur dhe të gatshëm për këtë institucion, krijimin e familjes.’ –shprehet Lulzim Murtezani – Psikolog.

Sipas të dhënave vetëm në Tetovë, këtë vit janë shkurorëzuar rreth 400 çifte. Ndryshe, të dhënat tregojnë se në martesën e dytë pjesëmarrës janë 7.9 për qind e çifteve, ndërsa në martesën e tretë pjesëmarrës janë vetëm 0.7 për qind, kurse kryesojnë burrat në martesat e dyta dhe të treta. Vjet, numrin më të lartë të martesave (4570) e kanë shënuar femrat e moshës 20-24 vjeçe (33.2 për qind), ndërsa te meshkujt, ata të moshës 25-29 vjeç me 5222 martesa ose 37.9 për qind. /Blerona Jakupi/