close
134141870

Analistët: Shenja positive për ecurinë e proceseve


Analistët politikë takimet e fundit mes krerëve të partive politike në vend i cilësojnë pozitive. Sipas tyre, është për t’u vlerësuar gatishmëria që kanë për takimin, pavarësisht se secili mbron pozicionet e veta.

Sipas analistit Ilir Luma, pozitive në këto takime është gatishmëria e krerëve politik për t’u takuar pavarësisht pozicionimeve të tyre. Ai, nga ana tjetër paraqitjet protokollare të Mickovskit, kreut të VMRO-DPMNE-së opozitare i cilëson farse sepse edhe më tutje kjo parti do të zbatojë obstruksionin e saj.

 

‘Ajo që thuhet në aspektin e Paraqitjes protokollare është vetëm një farsë nga ana e Mickovskit, se gjoja jam I gatshëm për dialog por pala tjetër nuk I pranon kërkesat të cilat janë absurde veçanërisht ajo që ka të bëjë me lirimin e të akuzuarve, qofshin deputetë apo funksionarë.Edhe më tutje, VMRO-ja do ta zbatojë obstruksionin e vet, dhe do ti përdori të gjitha intrigat politike për të qenë pengesë e rrjedhave të mëtutjeshme demokratike në Maqedoni.’

Edhe njohësi i çështjeve politike, Hasan Jashari deklaron se këto takime janë pozitive për të gjitha palët, por sipas tij ecuria e proceseve nuk varet aq shumë nga këto takime, për arsye se ndryshimet kërkojnë një kohë më të gjatë.

 

‘Pritjet janë më të mëdhaja te popullata, por shpesh, sidomos partitë tona politike i kapin punët shumë lehtë, dhe mendoj se punët duhet të zgjidhen, mirëpo, duke marrë parasysh se ne i njohim partitë dhe veprimtaritë e tyre, atëherë mund të hyjmë në përfundim se VMRO-ja nuk mund t’i ndërrojë qendrimet e veta kurrë, ajo i merr votat vazhdimisht në atë platformë antishqiptare dhe brenda ditës nuk rregullohen këto çështje, dhe ne duhet ta kemi të qartë atë se duhet një proces më i gjatë derisa  të kemi rezultate nga këto takime.’

Përndryshe, të premten e kaluar kreu i ri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, priti në takim liderin e BDI-së Ali Ahmetin, ndërkaq, ditën e djeshme pati takim me kryeministrin e vendit Zoran Zaev me të cilin ka diskutuar për procesin e negociimit për çështjen e emrit Maqedoni – Greqi, për ligjin e gjuhëve, për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe për përpilimin e një Kodi të ri zgjedhor. /B. J. /

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia