Gjykata Penale në Shkup shqipton edhe 30 ditë paraburgim
Gjykata Penale në Shkup ka shqiptuar edhe 30 ditë paraburgim për ish-drejtorin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Vlladimir Atanasovski.
Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion akuzon Atanasovskin për veprën penale “bashkim për veprim armiqësor”, pasi që në seancat e fundit gjatë gjykimit për ngjarjet e 27 prillit, disa nga të akuzuarit e kanë përmendur si organizator të sulmit të dhunshëm në Kuvend.
Atanasovski u arrestua në fillim të dhjetorit, pas dëshmisë së vëllezërve Stefan dhe Mihail Mladenovski, të cilët në mbrojtje të tyre, dëshmuan që Atanasovski ka qenë njëri ndër organizatorët e “27 Prillit”. Paraburgimi i parë për Atanasovskin ishte caktuar më 5 dhjetor dhe pasi ishte arrestuar atë natë ishte dërguar në pyetje në Gjykatën Penale.
Ekzistojnë dyshime bazike që personi në fjalë, ka kryer vepër penale “Bashkim për veprim armiqësor” nga neni 324 fq.1 e Kodit Penal. Prokurori kompetent me procedurë paraprake, ka dërguar Propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit deri te gjykatësi-kanë deklaruar asokohe nga Prokuroria Publike e Maqedonisë.
Avokati i tij, Jordan Apostollski, njoftoi se ende nuk e ka marrë vendimin e gjykatës së shkallës së parë, por se për të njëjtën do të ankohet tek Gjykata e Apelit. Vlladimir Atanasovski ishte në krye të DSK-së në periudhën e vitit 2016 gjegjësisht që nga fundi i vitit 2016, kur nga funksioni u largua ish-drejtori, Sasho Mijallkov. /Klan Maqedoni/