Zëvendëskryeministri për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistemin Politik përmes një komunikate për mediat ka sqaruar situatën e krijuar së fundmi rreth iniciativës nga BDI për shpërbërjen e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, dhe themelimin e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet komuniteteve, iniciativë e cila ditën e nesërme do të gjendet para deputetëve.
Siç shkruan Zv/Kryeministri Lika kaluan pothuajse dy dekada prej kur u arrit Marrëveshja Paqësore e Ohrit. Siç shkruan Lika kjo marrëveshje është dashur të implementohet për katër vite, e që fatkeqësisht, siç thotë, deri në ditët e sotme ende nuk po gjen zbatim në tërësi, si në aspektin legjilsativ, ashtu dhe në atë praktik.
“Unë si përfaqësues i BDI-së, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në detyrën e Zëvendëskryeministrit të angazhuar për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistemin Politik, nuk jam informuar as edhe i konsultuar për iniciativen dhe as për hartimin e këtij ligji, duke aluduar në kompetencat që do të bartë Institucioni i ri i cili krijohet, dhe lidhshmërinë që do të ketë me vetë Marrëveshjen Paqësore të Ohrit.” –deklaron Zëvendëskryeministri Lika.
Në takimin e fundit të realizuar me Kreun e partisë, siç shkruan Zv/Kryeministri Lika, edhe pse vonë, megjithatë kemi kërkuar që të hapet debat dhe të diskutohet rreth kësaj iniciative me të gjitha organet partiake, por edhe me palët e interesuara jashtë partiake, duke tentuar në ruajtjen dhe trashëgimin e vlerave të mirëfillta që burojnë nga Marrëveshja Paqësore e Ohrit.
“Presim që aktorët politikë të reflektojnë me qëllim që të qartësohet mirë kjo situatë, të dihet mirë se cili do të jetë fati i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, me të vetmin qëllim për të ndërtuar një shoqëri të barabartë për të gjithë.”-thuhet në Deklaratën për media të Zv/Kryeministrit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit Hazbi Likës. /Klan Maqedoni/