Pedofilia dhe incesti, janë dy fenomene që po prekin edhe shoqërinë shqiptare. Sipas psikologut social, Edmond Dragoti, këto janë dy krime që nuk dënohen vetëm moralisht, por edhe juridikisht. Shkaqet, sipas tij kanë të bëjnë edhe me kulturën e shoqërisë e cila duhet të ndërgjegjësohet për të denoncuar të tilla fenomene.
Heshtja e fëmijëve të pambrojtur, duhet të na ndërgjegjësojë. Ata fëmijë që të heshtur jetojnë me abuzimin e prindërve… Ata që të frikësuar mbulojnë abuzimin nga një pedofil, kanë nevojë që dikush t’i shpëtojë, mision i cili shpesh duket i pamundur.
Por, çfarë i bën abuzuesit të jenë të tillë? Psikologu Edmond Dragoti, tregon për ABC news shkaqet…
“Pedofilia është një veprim i planifikuar”, – thotë Dragoti, duke shtuar se është e vështirë që një pedofil të identifikohet, apo edhe te rehabilitohet.
Incesti nga ana tjetër, ndodh në familje ku autori i këtyre akteve ka kulturë të prapambetur, ose është një njeri agresiv e autoritar. Këta lloj personazh, thotë psikologu, mendojnë se gjithçka u përket atyre, përtej të gjithë kufijve njerëzor e moral.
Në këndvështrimin e psiokologut Edmond Dragoti, rastet e denoncuara janë shtuar, për shkak se njerëzit janë më të ndërgjegjësuar. /Abc News/