close

Shqiptari në Greqi vret partneren 19-vjeçare: Isha xheloz

Një krim i rëndë ka ndodhur në zonën e Pireut në Greqi, ku një shqiptar ka vrarë me armë zjarri partneren e tij 19-vjeçare.

Sipas të dhënave të mediave greke, edhe vajza që mbeti e vrarë është gjithashtu me origjinë shqiptare.

Krimi ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës, kur të dy ishin kthyer në shtëpi pas punëve respektive. Pas vrasjes, autori, një 25-vjeçar shqiptar identiteti i të cilit nuk është bërë publik, shkoi vetë në polici dhe u dorëzua.

Ai u tregoi hetuesve se kishte vrarë partneren e tij 19-vjeçare. Sipas tij, ai ishte xheloz për të dashurën. Fillimisht ka patur një sherr mes tyre, sipas raportimeve nga mediat greke që i referohen burimeve policore për dëshminë e 25-vjeçarit.

Më pas, e qëlloi dy herë me pistoletë 19-vjeçaren duke e lënë të vdekur në vend. Dyshohet se shqiptari ka qenë edhe nën efektin e kokainës kur vrau partneren. Ai u ka treguar hetuesve grekë se pistoletën ua kishte marrë disa rumunëve një vit më parë.

Pas vetëdorëzimit të 25-vjeçarit, policia shkoi në banesën e çiftit dhe aty gjeti trupin e pajetë të 19-vjeçares shqiptare. Autori është arrestuar.

I riu punonte në një lokal nate, ndërsa viktima në një dyqan në lagjen “Kalithea” të Athinës.

Policia greke heton rrethanat dhe shkaqet e plota të ngjarjes tragjike. /tvklan.al

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!