close

SHTETI&BFI: KUR LIGJIN E BËN MALIQI

Feja është e ndarë nga shteti dhe shteti nga feja


Bashkësia Fetare Islame e ka cilësuar si skandal primitiv një vendim të debatueshëm të Gjykatës Themelore të Shkupit, e cila për kryetar të këtij institucioni në vend të reis Sulejman efendi Rexhepit, të zgjedhur nga Rijaseti, organ më i lartë i komunitetit mysliman në Maqedoninë e Veriut kishte emëruar Skënder Buzakun, i cili tash e disa vite tenton të marrë drejtimin e BFI-së. Rexhepi ka thënë se akti që ka ndodhur flet qartë se në vend nuk ka institucione, por shtet policor. Çështja që tani shtrohet është përse u implikua edhe gjykata duke shkelur edhe normat kushtetuese, por edhe Ligjin?

‘Kur ligjin e bën Maliqi’, thotë shprehja popullore, punët dalin nga shinat. Pa çka se është kohë fushate, kohë zgjedhjesh dhe një votë mund të jetë edhe përcaktuese. Kur instrumentalizohet sistemi i drejtësisë, atëherë bie në ujë gjithë angazhimi për shtet të së drejtës, për inaugurim të përgjegjësisë apo edhe llogaridhënies.

Larg asaj të mbrohet BFI-ja dhe kreu i saj, për të bëra a të pabëra, por të vijë në shprehje e drejta. E drejta kushtetuese, më saktësisht. Neni Nëntëmbëdhjetë i Kushtetutës, me ndryshim-plotësimet me Amendamentin e Shtatë dhe të Tetë, thotë se bashkësitë fetare janë të ndara nga shteti dhe të barabarta para ligjit.

Implikimi i Gjykatës Themelore Shkupi II përmes aktvendimit të shumëdebatueshëm që në Fletoren Zyrtare të figurojë një emër i ri si i pari i Bashkësisë Fetare Islame, vetëm se e shpërfaq brishtësinë e gjyqësorit për t’u dhënë të drejtë atyre të cilët thonë se edhe pas ndryshimeve, i njëjti vazhdon të dirigjohet nga politika apo edhe nga grupe të interesit.

Nuk janë për t’u besuar pretendimet se përpjekja e së martës për një puç të ri në Bashkësinë Fetare Islame është rezultat i pakënaqësisë së shtabit të kandidatit presidencial të koalicionit qeverisës me votat e arkëtuara në mjediset ku pjesëtarët e fesë islame përbëjnë shumicë, aniqë me to, thonë ekspertët e fushës, i njëjti siguroi epërsinë ndaj rivales nga taborri tjetër, sado e ngushtë qoftë ajo, por edhe çdo arsyetim a pretekst tjetër nuk e zhbën bindjen se: ndërhyrja ishte e qëllimshme! Kjo për shkak se llogjika e bërjes së punëve me hyxhim, në stilin ‘vet shkruaj e vet vulos’, pa përfillur rregullat e lojës, fundin e ka të hidhur dhe punët mund t’i nxjerrë jashtë kontrollit.

Ata që dje u munduan të bëjnë diçka përtej normave kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe përtej normave të Kushtetutës së BFI-së, në pikun e fushatës, për interesa të politikës apo të grupeve të interesit, do të duhej ta dinë se – për një plesht nuk digjet jorgani! /Seladin Xhezairi/