Nuk ka dyshime për zjarrvënie të qëllimshme
Pas gati nëntë orë luftë me flakët zjarri i rënë në katedralen Notre Dame në Paris është shuar.Zjarri shkaktoi dëme të mëdha ndërtesës së shekullit të 12-të, duke shkatërruar çatinë kryesore dhe kullën me majë të saj. Megjithatë dy kullat kryesore, në fasadën qendrore të katedrales mbetën të paprekura.
Këtë mëngjes kryeqyteti i Francës është gdhirë me dhimbjen e historisë së shkatërruar, por dhe me besimin se ky monument historik e kulturor gati 9 shekullor do të rindërtohet.
Ministri i Kulturës deklaroi sot në mëngjes gjatë një interviste për Radio France International se shteti do të mbajë peshën e tij të përgjegjësisë për rindërtimin e katedrales Notre Dame dhe kthimin e saj në gjendjen e mëparshme.
“Ishte një ngjarje e pazakontë dhe tragjike”-deklaroi ministri francez.
Ai shtoi se nga gjithë bota ka një energji dhe vullnet të madh për të ndihmuar në rindërtimin e kësaj vepre, ndaj i takon shtetit t’i mbështesë këto energji pozitive.
Presidenti Macron, mbrëmë nga vendi i ngjarjes shprehu solidaritet dhe mbështetje për gjithë ata që luftuan për të shpëtuar katdralen Notre dame
“Këtë Katedrale, mbi 800 vjeçare, ne kemi ditur ta ndërtojmë, dhe mes shekujsh ta zmadhojmë e përmirësojmë. Këtë katedrale, ne do ta rindërtojmë të gjithë së bashku”, tha presidenti francez.
Keqardhje dhe pikëllim për këtë ngjarje të rëndë kanë shprehur edhe shumë burrështetas nga mbarë bota.
Nga Parisi bëhet e ditur se shumë subjekte private, donatorë të ndryshëm kanë nisur dhurimet e para të shumave që shkojnë në miliona euro për rindërtimin e katedrales historike.
Ekspertët e fushës thonë se struktura e pjesës së mbetur të katedrales është ende e pasigurt. Ndaj së pari do të vijojë puna për garantimin e saj.
Ndërkohë, Prokuroria në Paris ka nisur hetimet për shkaqet e zjarrit, por deri tani besohet se punimet për rikonstruksionin e katedrales mund të kenë lënë shkak për ndonjë shkëndijë që ka ndezur flaket. /Agjencitë/