close

SILJANOVSKA-DAVKOVA: KOSOVA TË MOS PËRZIHET NË ZGJEDHJE!

Sebep: Një status në FB i ministrit të Jashtëm Pacolli


Një prononcim i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli në rrjetet sociale se shqiptarët në Maqedoni, më pesë maj, të votojnë kandidatin që garanton rrugën pa kthim kah integrimi euroatlantik i vendit, nga kandidatja presidenciale Gordana Siljanovska-Davkova është komentuar si veprim që bie ndesh me parimin e Kombeve të Bashkuara për mospërzierje në punët e brendshme.

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli në një status të tij në FB ka vlerësuar pozitivisht mbarëvajtjen e zgjedhjeve presidenciale të së dielës duke e cilësuar këtë si një proces që shënon një hap të mëtutjeshëm në maturimin demokratik të vendit. Me këtë rast kryediplomati Kosovar ka komentuar edhe votën e shqiptarëve:

‘Shqiptarët pasuruan ofertën politike me kandidaturën e profesor Blerim Rekës dhe me mbështetjen e një kandidati konsensual. Tash është koha që në raundin e dytë në emër të avancimit të statusit të tyre brenda kuadrit kushtetues, shqiptarët të bëhen bashkë në mbështetjen e atij kandidati që garanton rrugën pa kthim kah integrimi euroatlantik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ‘ ka shkruar Zëvendëskryeministri i Kosovës duke vlerësuar se kështu vota shqiptare do të peshojë më shumë dhe ata do të rrisin peshën e tyre politike brenda institucioneve si qytetarë të barabartë të shtetit fqinj.

Një prononcim i këtillë i politikanit kosovar është komentuar nga kandidatja presidenciale Gordana Siljanovska-Davkoka e cila i ka bërë thirrje që të mos përzihet në punët e brendshme:

‘Nuk kam asgjë kundër marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por kjo deklaratë është e pazakontë nga prizmi i parimit të Kombeve të Bashkuara për mospërzierje në punët e brendshme,’- ka deklauar Davkova duke  vlerësuar se shqiptarët e dinë kujt do t’ia japin votën: ‘Ata me abstenimin të dielën treguan se nuk përjetohen si objekte pazaresh politike,’ –ka theksuar kandidatja presidenciale e opozitës maqedonase  duke hedhur poshtë zërat se nuk është albanofobe dhe se, sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian atje shkohet vetëm me luftë të pakompromis kundër korrupsionit, krimit e nepotizmit.

Nga rreth 756 mijë qytetarë të cilët votuan në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, Blerim Reka i mbështetur nga opozita shqiptare siguroi 10.57, Gordana Siljanovska-Davkova e opozitës maqedonase fitoi 42.24 për qind, ndërsa në epërsi u gjet Stevo Pendarovski i mbështetur nga koalicioni qeverisës maqedono-shqiptar me 42.85 për qind. /Klan Maqedoni/