Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi një masë simbolike që kundërshton urdhrin e presidentit Donald Trump për t’i tërhequr trupat amerikane nga Siria dhe Afganistani. Masa është një amendament jodetyrues, i cili thotë se grupet islamike militante vazhdojnë të paraqesin kërcënim për Shtetet e Bashkuara.
Amendamenti, i cili u miratua me 70 vota për dhe 26 kundër, thotë se ka përparim në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik, si dhe atyre të Al-Kaidës në Siri dhe Afganistan. Por, ai po ashtu paralajmëron se “tërheqja e shpejtë” e trupave amerikane mund ta destabilizojë rajonin dhe të krijojë një vakum, që mund të mbushet nga Irani ose Rusia.Janë rreth 2,000 trupa amerikane që aktualisht shërbejnë në Siri dhe rreth 11,000 në Afganistan. /Agjencitë/