A u falsifikua dorëheqja e Sulejman Rexhepit?
Mbrëmë Buzaku, sot Sulejmani… Të dy pretendojnë se janë nikoqir të objektit i cili përfaqëson komunitetin mysliman në vend, të dy mendojnë se kanë të drejtë. Buzaku thirret në vendimin e Gjykatës Themelore, Shkupi2,e Sulejmani thotë se dokumentet janë të falsifikuara. Nuk ndihmoi shumë në qartësimin e situatës as kumtesa e Gjykatës, në të cilën thuhet…
“Në bazë të vendimeve të sjella të Riasetit të Bashkësisë Fetare Islame në datën 03.04.2019, në Gjykatën Themelore Shkupi 2 Shkup është parashtruar kërkesë për ndryshim të personit për përfaqësim të Bashkësisë Fetare Islame. Duke vepruar në kërkesën e parashtruar Gjykata Themelore Shkupi 2 Shkup, në datën 17.04.2019, solli Aktvendim me të cilën kërkesa e Bashkësisë Fetare Islame për ndryshim të kryerjes së funksionit Reis Ul Ulema është pranuar dhe në bazë të dokumenteve të parashtruara është kryer ndryshimi i funksionit Reis Ul Ulema, dhe si Reis Ul Ulema është regjistruar z. Skender Buzaku. Në këtë kuptim, potencojmë se gjykata nuk bën ndryshime, por zbaton dhe vërteton vendime të Bashkësisë Fetare që janë sjellë në seancë të jashtëzakonshme të Riasetit e në bazë të nenit 36 dhe nenit 68 nga Kushtetuta e Bashkësisë Fetare Islame.” – theksohet Gjykata Themelore Shkupi 2.
E Buzaku thotë që mbrëmë ka qenë i sulmuar fizikisht nga persona të afërt me Rexhepin. Rastin e ka paraqitur në polici, e nga atje i kanë thënë se sulmuesit janë identifikuar.
Buzaku ka kërkuar nga institucionet t’i largojnë, siç i quan ai, uzurpatorët nga objekti i BFI-së, e i bën thirrje Policisë Financiare që sa më shpejtë të nis hetimet, sepse ai dyshon se Rexhepi ka keqpërdorur detyrën zyrtare.
E sikur në shumicën e ngjarjeve që ndodhin në vend, nuk mund të mungojë as politika. Mbrëmë Rexhepi e akuzoi pushtetin se po përzihet në autonominë e BFI-së, e sot, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, e cilësoi vendimin të gjykatës si të turpshëm.
Zëvendëskryeministri Osmani e komentoi situatën në BFI, por shefi i tij do të qëndroj anash dhe do vetëm do të vëzhgojë. /Furkan Saliu/