close

SKITARI: FITORJA E 66-të E HIRSCHER NË KUPËN E BOTËS

Shënoi fitore në sllallom të madh në Adelboden të Zvicrës


Skiatori austriak Marcel Hirscher dëshmoi mjeshtrin e tij në disiplinën e sllallomit të madh, duke shënuar fitore të madhe, njëherësh marshon edhe drejt titullit të shtatë të botës. Ai fitoren e radhës e shënoi në Qendrën e Skive në Adelboden të Zvicrës. Kampioni doli i pari me kohë të kaluar për 2 minuta e 26 sekonda e 54 të qindtat, apo për 71 të qindtat ishte më i mirë se norvegjezi Henrik Kristoffersen. Për austriakun Hirscher ishte kjo fitorja e 66-të në karrierën e tij në Kupën e Botës. Në vend të tretë renditet francezi Thomas Fanara, por me kohë më të ngadalshme për një sekondë e 4 qindtat se Hirscher.

Në renditjen e sllallomit të madh, Marcel Hirscher prinë me 540 pikë, para Henrik Kristoffersen me 302, Alexis Pinturault 276 pikë. Në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës Marcel Hirscher udhëheq me 876 pikë, i ndjekur nga Henrik Kristoffersen që ka 511 pikë dhe Alexis Pinturault me 444 pikë. /Agjencitë/