Spanja në luftë me flakët

Mbi 4000 hektarë tokë janë shkrumbuar, ndërsa më shumë se 1700 njerëz janë evakuuar në pjesën lindore

Zjarret në Spanjë vijojnë të shkatërrojnë pyjet. Pjesa lindore e Spanjës është e goditura më rëndë, ndërsa erërat po vështirësojnë punën e zjarrëfikësve për të shuar flakët. Mbi 1700 njerëz janë evakuuar në rajonet e Valencias dhe Aragonit ndërsa zjarret vijojnë të jenë prezente në ditën e gjashtë. Në fshatrat Higueras, Pavias dhe Torralba del Pinar, me një popullsi prej rreth 75 banorësh, zjarret janë vënë nën kontroll.

E vendosur në rajonin veriperëndimor të Castilla y Leon, Sierra de la Culebra u përfshi sërish nga zjarret e pazakonta të këtij viti të cilat këtë herë nuk kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme si një vit më parë ku më shumë se 65,000 hektarë u dogjën. Më shumë se 500 zjarrfikës të mbështetur nga 20 avionë dhe helikopterë kanë punuar për të vënë zjarrin nën kontroll.

Kryeministri Pedro Sanchez tha se moti jashtëzakonisht i ngrohtë ishte pasojë e ndryshimeve klimatike, pasi ai vizitoi qendrën komanduese të zjarrfikësve në provincën Valenciane të Castellon.

“Ne sapo po dalim nga dimri dhe tashmë po përballemi me temperatura të ngjashme me ato të verës dhe zjarre si ato të verës. Emergjenca klimatike nuk është një emergjencë për të ardhmen, kriza është këtu dhe është urgjente.”

Shtëpitë dhe makinat në fshatin e vogël La Garcia në San Agustin janë djegur nga flakët. Videoja me dron tregon shkatërrime në pyjet në Spanjën lindore. Deri më tani më shumë se 4 mijë hektrarë tokë janë shkrumbuar. Zyrtarët iu kanë bërë thirrje turistëve që të mos e vizitojnë pjesën lindore të Spanjës deri në përmirësimin e situatës.

Një dimër jashtëzakonisht i thatë në pjesë të Evropës Jugore ka ngritur frikën se mund të ketë një përsëritje të zjarreve shkatërruese të vitit të kaluar. Vitin e kaluar, rreth 785,000 hektarë u shkatërruan në Evropë, më shumë se dyfishi i mesatares vjetore për 16 vitet e fundit, bazuar në statistikat e Komisionit Evropian. Në Spanjë, 493 zjarre shkatërruan një rekord prej 307,000 hektarësh tokë në 2022.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share