“Janeva dhe ekipi i saj nuk i përmbushën pritjet”
Opozita shqiptare nuk është e kënaqur me punën e Prokurorisë Speciale Publike. Aleanca për Shqiptarët, konsideron se në shumë raste, PPS ka vepruar sipas delegimeve të politikës, e nga Lëvizja Besa thonë se pritjet tek qytetarët, e posaçërisht tek shqiptarët kanë qenë shumë të mëdha, kurse ekipi i Katica Janevës, nuk ka arritur t’i përmbush.
“Pyetjes se a jemi të kënaqur me punën e Prokurorisë Speciale, do të kisha thënë jo plotësisht, për arsye se tashmë është vërejtur që edhe Prokuroria Speciale në shumëçka ka vepruar sipas direktivave të dorës së zgjatur të politikës. Ne e mbështesim vetëm idenë fisnike të formimit të kësaj Prokurorie, dhe besojmë se forma e vetme që kjo të funksionoj dhe të arrijë qëllimin për çka është formuar, është që të jetë plotësisht e pavarur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga mënyra e zgjedhjes që preferohet me ligjin e ri për Prokurorinë Publike.” deklaroi Syrija Rashidi, Deputet i Aleancës për Shqiptarët.
“Mendoj se ashtu si shumica e shqiptarëve në Maqedoni, ashtu edhe ne nuk mund ta fshehim atë dëshpërim pasi që pritshmëritë kanë qenë shumë të mëdha.” -shprehet Arjanit Hoxha, Anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Besa.
Për dallim nga partitë shqiptare që as nuk janë konsultuar, opozita maqedonase e ka marrë tekstin të enjten e kaluar, por nuk pajtohen as me tekstin e as me idenë që ekipi aktual i PPS-së të bëj pjesë edhe në institucionin e ri.
“Të enjten e morëm propozim tekstin për Ligjit për Prokurorinë Publike. Deri më tani nuk patëm mundësi që të hyjmë në thelbin e këtij teksti, por atë që mund ta them në përgjithësi është ajo se prokurori speciale aktual së bashku me ekipin e saj nuk mundet dhe nuk guxon ta fitojë besimin sepse jo vetëm që nuk e arsyetuan besimin dhe pritshmërinë e qytetarëve, por përkundrazi në shumicën e atyre rasteve e keqpërdorën.” –thekson Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO DPMNE-së.
Por Zaev ka mirëkuptim për Mickoskin, grupe të punës të dy partive do të punojnë për t’i harmonizuar qëndrimet rreth ligjit dhe ekipit të PPS-së. Por nga të gjithë politikanët, nga fjalët e kryeministrit vërehet se është ai politikani që ka më së shumti besim tek Katica Janeva.
“Me ligj ju ta ndaloni që dikush të jetë kandidat, apo që të rizgjedhet nuk mundeni. Të gjithë janë të njëjtë. Unë i besoj kësaj Prokurori Speciale, dhe do të jap përkrahje për këtë Prokurori Speciale dhe për të gjithë personat që punojnë në këtë Prokurori Speciale, sepse kjo Prokurori Speciale ishte shpresa për kthimin e shtetit të së drjetës dhe këtë shtet po e kthejmë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Të gjithë këto prokurorë, përfshirë këtu edhe Katica Janevën, do ta kenë përkrahjen time nëse varet nga unë se kush do zgjidhet.”- vlerëson Zoran Zaev-Kryeministër.
Zaev nuk e ka pranuar as idenë e opozitës që Kryeprokurori publik të zgjidhet në propozim të opozitës. Një opozitë e tillë që nuk ka pasur qëndrim kur është vendosur për ardhmërinë e shtetit, është e papranueshme që ta propozoj kryeprokurorin, shtoi ai. /Furkan Saliu/