close
Rajoni

TADIQ: KINA E RUSIA MBËSHTESIN SERBINË PËR INTERESAT E VETA

Screenshot_4

Ish-presidenti serb për revidimin e Marrëveshjes së Brukselit


Ish-presidenti i Serbisë dhe lideri i Partisë Socialdemokrate, Boris Tadiq, ka deklaruar se kurrë nuk ka qenë pro idesë së ndarjes së Kosovës, por për një ndarje mbi baza të etniteteve. Duke folur për Televizionin Publik të krahinës së Vojvodinës, Tadiq ka lënë të kuptohet se aktualisht pozicioni ndërkombëtar i Serbisë nuk është si dikur dhe se qëndrimi i Kinës dhe Rusisë lidhur me çështjen e Kosovës, ka për pikënisje interesat e tyre e jo ato serbe, transmeton Klan Maqedoni.

Ish-presidenti serb, Boris Tadiq, ka vlerësuar se Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, e firmosur më 2013 mes ish-kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, nuk po zbatohet, ndaj ka rekomanduar revidimin e saj. Mirëpo, kjo vështirë se mund të bëhet për shkak se, sipas tij, është skajshmërisht e rrezikshme:

‘Unë mendoj se duhet të hyhet në revidimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe kujtoj se ky është një moment shumë, shumë i rëndësishëm, por kjo tani është një situatë skajshmërisht e rrezikshme. Për shkak se çdo marrëveshje ndërkombëtare që firmoset, pa pasoja të caktuara për atë që e kërkon, është shumë vështirë të revidohet,’ – ka deklaruar Boris Tadiq për Televizionin e Vojvodinës për të cilin thuhet se është nën kontrollin e regjimit të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Ai ka thënë se edhe në Platformën më të re të Kosovës shikon, dorën e faktorit ndërkombëtar, gjë që nuk mund të thuhet për pozitën ndërkombëtare të palës serbe.

‘Pozicioni serb në aspektin ndërkombëtar nuk është më mirë se ç’ka qenë, sepse mbështetësit tanë në temën e Kosovës – Kina dhe Rusia – kanë pozicione të ndryshme: Kina ka qëndrimin e ‘Një Kine’ dhe ajo është mbështetëse e përjetshme e këtyre interesave të Serbisë që Lufton për mbrojtjen e integritetit të saj, ndërsa Rusia ka një qëndrim të dytësuar. Rusia në disa pozicione, sikurse është Krimeja, ka qëndrim që më shumë u konvenon shqiptarëve të cilët dëshiruan shkëputjen e Kosovës nga Serbia, kurse për çështjen e Çeçenisë e të republikave të Kaukazit, ka pozicionin e Serbisë’.

Boris Tadiq që nga viti 2004 në dy mandate ishte President i Serbisë, kurse sot është lider i një partie të vogël socialdemokrate, ka deklaruar se nuk ka qenë kurrë për konflikt të ngrirë, por për një zgjidhje kompromise e të drejtë, duke përfillur edhe interesat e palës shqiptare. Kjo, sipas tij, nënkupton jo pavarësinë e Kosovës, por që Serbia të ruaj sovranitetin mbi të dhe që Kosova të mos zë vend në Kombet e Bashkuara. /Seladin Xhezairi/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia