Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe lider i socialdemokratëve në pushtet Zoran Zaev dhe kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickoski, sot do të përpiqen të gjejnë gjuhë të përbashkët për Ligjin e Prokurorisë Publike, me të cilin zgjidhet statusi i Prokurorisë Speciale Publike. Nga opozita bëjnë me dije se krahas këtij ligji duhet të diskutohet edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Në vigjilje të takimit të liderëve sonte, përfaqësuesit e të dyja palëve të kujdesshëm me deklaratat.
Ligji për Prokurori Publike si dhe zgjedhjet e parakohshme do të jenë temë e takimit. Sa i përket zgjedhjeve, kryeministri është i hapur që të flas dhe e sheh si normale kërkesën e opozitës, por dëshiron që ta shfrytëzojë momentin, që ai e konsideron si të mirë, pas anëtarësimit të plotë në NATO dhe hapjen eventuale të bisedimeve për anëtarësim në BE.
“Edhe pse Ligji për Prokurori Publike nuk është pjesë e raportit evropian në bazë të cilit vendos edhe formalisht Këshilli Evropian kah mesi i tetorit, ne duhet ta largojmë atë çështje që mos ta ketë dikush si argument. Fundja, kjo çështje është edhe më e rëndësishme për qytetarët. Pres përgjegjësi, çështjet nuk janë të pazgjidhshme, vetëm duhet të jemi të përgjegjshëm para sistemit, para shtetit, dhe sigurisht para qytetarëve. Është legjitime që opozita gjithmonë të kërkojë zgjedhje, unë jam i hapur të fals për cilëndo çështje, por qëndrimi jonë është në përputhje me interesin e shtetit. Kam folu për këtë çështje edhe në Kuvend, mendojmë se kjo është një kohë pozitive dhe e papërsëritshme për shtetin tonë, kur presim datë për nisjen e bisedimeve, anëtarësimin e plotë në NATO, duhet t’i japim shans edhe shtetit të së drejtës por edhe ekonomisë.” -tha kryeministri Zoran Zaev.
Për Zoran Zaevin është e rëndësishme që të hetohen të gjitha indicet që dalin nga “bombat” e thotë që në bazë të informatave që ai i ka, për këtë nuk ka asgjë kundër VMRO DPMNE-së. Zëdhënësi i opozitës Dimçe Arsovski, nuk ishte aspak modest dhe tha që pret që të gjitha vërejtjet për ligjin të pranohen.
“Presim që të respektohen, gjegjësisht të pranohen të gjitha vërejtjet tona për Ligjin për Prokurori Publike, që deri më tani disa herë i kemi thënë publikisht. Presim që më në fund të sillet ligj nëpërmjet të cilit do të sundojë ligji dhe drejtësia, dhe do të jetë në interes të qytetarëve. “-deklaroi Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Ikja nga zgjedhjet është dëshmi se pushteti ka frikë, thonë nga opozita. Ata kërkojnë që zgjedhjet të shpallën menjëherë, e nëse është e mundur, ata kërkojnë që të shpallen që nesër. /Furkan Saliu/