close

TAKIMI I LIDERËVE PËRFUNDOI PA REZULTAT

Akuza e kundërakuza për dështimin e negociatave


Takimi tetë orësh mes liderëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së Zoran Zaev me ekipet e tyre, nuk solli ndonjë rezultat në negociatat për Ligjin për Prokurori Publike. Që në mëngjes kanë filluar akuzat e ndërsjella, se cili nuk ka qenë konstruktiv, kush ka mbrojtur krimin dhe kush ka qenë kundër BE-së dhe NATO-s.

Pas më shumë se tetë orë diskutim, pushteti dhe opozita kumtuan se marrëveshje nuk ka. Kryeministri Zoran Zaev, ka propozuar që të formohet prokurori e veçantë që do të jetë në të njëjtin nivel si ajo për krim të organizuar, që do të hetojë korrupsionin e lartë. Shefi i kësaj prokurorie të jetë i propozuar nga opozita, por problemi ka qenë në kërkesë e opozitës, të cilët kanë kërkuar që të gjitha lëndët e PPS-së të kalojnë tek kjo prokurori.

“Krejtësisht në kundërshtim me principet e sundimit të së drejtës, kërkonin që të gjitha lëndët e hapura deri më 30 qershor 2017 t’i marr prokurori që ata do ta zgjidhnin. E dihet pse, që më pas lëndët të anulohen dhe të shkatërrohen. Kërkonin që me ligj të ndalohen të gjitha hetimet për të gjitha lëndët të hapura pas 30 qershorit, gjegjësisht kërkonin që mos të precizohet qartë në ligj se çfarë do të ndodhë me ato lëndë që janë në fazë para-hetimore, apo hetimore.” –tha Kryeministri Zoran Zaev.

Zaev siguroi se të gjitha lëndët e PPS-së janë të sigurta, për shkak se po transferohen në Prokurori Publike, e më pas kryeprokurori Jovevski do t’i shpërndajë tek prokurorët përkatës.
Nga opozita thonë se e papranueshme ka qenë kërkesa e kryeministrit që prokurorët e Speciales të transferohen tek prokuroria e re. Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se Zaev praktikisht ka propozuar Prokurori Speciale të re.

“Zoran Zaev propozoi formimin e një Prokurorie për ndjekjen e korrupsionit të lartë, që do të ishte në nivel të njëjtë sikurse Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion, kurse prokurorin ta propozoj opozita. Këto dhjetë ndihmës të Katica Janevës, së bashku me rastet e PPS-së të inkorporohen në këtë institucion, pa u respektuar ligji për prokurori, ku këshilli i përcakton prokurorët.” -shprehet Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristjan Mickoski.

Këtu nuk është edhe fundi definitiv i bisedimeve thonë të dyja palët. Nëse propozohet ndonjë zgjidhje kreative, ata do të ulën sërish të bisedojnë. Mickoski prezantoi edhe disa dokumente, që ai thotë se janë dokumente nga ekspertiza për rastin “Zhvatja” e ku përmenden edhe funksionarë të pushtetit. Ai tha se do ta përcjellin situatën dhe nuk hedhin poshtë mundësinë që t’i publikojnë. /Furkan Saliu/