close

TARIFAT DOGANORE: BEOGRADI ME SHPRESË TEK SHBA-të

Beogradi zyrtar i ka varur shpresat tek presioni i Shteteve të Bashkuara që Kosova të heqë taksën për produktet serbe. Ndërkohë, analistët serbë vlerësojnë se bisedimet e ndërmjetësuara nga Brukseli nuk kanë shkuar në drejtimin e duhur.

Serbia është në pritje të efektit të porosive nga SHBA për Kosovën. Krerët e shtetit serb janë shprehur të gatshëm të vazhdojnë bisedimet nëse hiqet taksa. Por, pyetjet se në çfarë forme dhe për çfarë do të ketë bisedime ngelin të hapura. Presidenti serb në njërën anë po përballet me protesta kundër tij dhe ka nisur një kundër fushatë të vizitave në tërë Serbinë.

Marko Savkovic, ekspert për rajonin, thotë se vetëm SHBA tani kanë një ide që duhet të arrihet marrëveshja. Dështimi i dialogut shkon edhe në adresë të BE-së.

“Është një paqartësi e madhe për shkak se akterët kryesorë përballen me probleem të brendshme, pastaj flitet për zgjedhje këtu në Serbi edhe në Kosovë dhe nuk shoh gatishmëri. Nëse nuk arrihet një zgjidhje këtë vit për palën serbe do të humbet rasti për një gjeneratë të tërë.” tha Marko Savkoviq, Qendra për Politika të Veçanta, Beograd

Kosova dhe Serbia kanë kaluar në faza të ndryshme. Por, normalizimi nuk ka ndodhur. Bisedimet teknike fillimisht sollën shpresë dhe më pas evoluan. Incidente të shumta dhe pak tolerim. Në fund idetë për kufijtë, interpoli dhe taksa. Stefan Surlic, i lindur në Prishtinë, pedagog tek Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd, thotë se është e kot të pritet normalizimi pa bisedime për statusin e Kosovës dhe zyrtarizimin e nivelit të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë.

‘Nuk ka nevojë për vazhdimin e një dialogu teknik në Bruksel pa folur për çështje thelbësore që është statusi i Kosovës, definimi i marrëdhënieve afatgjata në mes të Serbisë e Kosovës nuk mund të flitet për librat e administratës dhe bashkëpunimin ekonomik pasi kjo ka dështuar.’- shprehet Stefan Surliq, Fakulteti i Shkencave Politikë, Beograd.

Kosova ka krijuar një grup negociator, por në Serbi nuk është bërë një gjë e tillë. Serbia shpreson që kritikat nga Uashingtoni në Prishtinë do ta ndihmojnë për taksën edhe pse është shprehur pesimizëm për idenë serbe të quajtur “kompromis”. /Idro Seferi, Beograd/