Urime për vetëpërmbajtje dhe dashuri të ndërsjellë
Mijëra besimtarë ortodoksë në Maqedoni, por edhe në vende tjera nëpër botë, sot e festojnë një nga festat më të mëdha fetare, Pashkët ose Ringjalljen e Krishtit. Sipas traditave fetare, mbrëmë në mesnatë priftërinjtë nëpër kisha e dhanë lajmin për ringjalljen e Jezu Krishtit, pasi ka qenë i kryqëzuar, para më shumë se 2000 viteve në Nazaret, Izraeli i sotëm. Dhënia dhe thyerja e vezëve të kuqe simbolizon aktin e jetës së re.
Besimtarët ortodoksë sot e urojnë ditën e cila simbolikisht shënon lindjen e jetës së re, vetëpërmbajtjen, dëshirën për shëndet dhe mirënjohjen për të tjerët. Besimtarët e përkushtuar e përfunduan kreshmën e pashkëve, dhe iu bashkëngjitën liturgjive kishtare:
Ati Tome nga kisha Sveta Petka në Shkup për TV KLAN e sqaroi simbolikën e festës:
“Të përpiqemi të jemi njerëz të mirë, t’u ndihmojmë të gjithë të afërmve tanë, t’u ndihmojmë të gjithë njerëzve pa dallim nga cili vend është, cilës feje i përket, cilës racë, cilës gjini, të ndihmojmë njëri-tjetrin, të duhemi, sepse në këto kohë të vështira vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë nga ky vend të krijojmë një vend të mrekullueshëm për të jetuar”.
Kryeministri Zoran Zaev mbrëmë bashkë me familjen e tij e kanë pritur ringjalljen e Krishtit- Pashkët në kishën “Shën Grigorij Palama dhe Dimitrij” në Strumicë.
Besoj se kjo festë do të na sjellë paqe të gjithëve, mirëqenie të gjithëve, respektim të ndërsjellë dhe të shfrytëzojë rastin t’ua uroj të gjithë besimtarëve të krishterë Ringjalljen e Krishtit, si festë më të madhe të cilin e festojnë krishterët”, ka thënë Zaev.
Mbrëmë me aeroplan nga Jerusalemi, në Ballkan u soll i ashtuquajturi “Zjarr i bekuar”, i cili nëpër kisha u nda midis besimtarëve në Bullgari dhe në Maqedoni, por edhe në Serbi, në Rumani, në Shqipëri dhe në vendet tjera, si simbol i jetës. Përveç krerëve ortodoksë, urime fetare për të krishterët ortodoksë dhanë edhe përfaqësuesit shtetërorë dhe politikë.
Kryeministri Zoran Zaev nga Strumica dëshiroi paqe për të gjithë, mirëqenie dhe respekt i ndërsjellë. Kryetari i shtetit në ikje, Gjorge Ivanov, porositi të gjithë të bashkuar së bashku t’i kalojnë sfidat. Lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë fetare në kishën në Gjorçe Petrov, iu dëshiroi qetësi, paqe dhe mirëqenie në shtëpitë e tyre. Ditën e sotme, Pashkët i festojnë rreth 250 milionë të krishterë ortodoksë në botë, nga SHBA në Moskë, nga Jerusalemi në Afrikë, të cilët udhëhiqen nga kalendari fetar Julian. /Biljana Georgievska/