close

TEATRI I TETOVËS: OBJEKTI I RI MBETET PROBLEMI KRYESOR

Të shumta janë pengesat që has trupa e aktorëve të Teatrit të Tetovës, por pengesa bazë, sipas drejtorit të Teatrit është objekti. Ai apelon që të përshpejtohet puna e ndërtimit të objektit, për të cilën kompetentët deklarojnë se kërkohen edhe plotë tri vite deri në përfundimin e tij.

Që nga janari aktorët e rinj janë në pritje për konkursin që është thënë se do të hapet në Teatrin e Tetovës. Drejtori i Teatrit të Tetovës, Arsim Fazlia sqaron se për hapjen e këtij konkursi kërkohet kalimi i një sërë procedurave dhe në fund duhet pëlqim edhe nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

‘Çfarë është dashur unë kam nënshkruar sepse është interesi jonë. Ne i kemi kërkuar ato vende pune me dëshirën tonë, kështu që ne mundohemi që sa më shpejtë të shkojë, por se sa do vonohet përgjatë rrugëtimit të këtij konkursi nuk e dimë dhe nuk mund të japim ndonjë datë derisa nuk e dimë se sa do të zgjasë në Ministrinë e Informatikës, d.m.th që të japin pëlqim për këtë sistematizim të ri që kemi bërë.’ –deklaroi Arsim Fazlia- Drejtor në Teatrin e Tetovës.

Por, funksionimi i Teatrit të Tetovës, në kuadër të Pallatit të Kulturës siç deklaron Fazlia, është bërë akoma më i vështirë. Krahas problemeve të tjera, kategorizimit të rrogave, vonesës së mjeteve financiare, problemin kryesor e përbën objekti i Teatrit.

‘Ne si teatër nuk mund të mbajmë asnjëfarë repertoari, ne japim premierën, kemi një reprizë, dy repriza, pastaj nuk mund të kemi më tepër si pasojë e mungesës së kushteve. Deri në muajin mars – prill nuk u miratua buxheti, për fillimin e provave. Por, si bazë e kemi mungesën e objektit dhe për këtë apeloj që të zgjidhet dhe të kemi edhe ne objektin tonë. 12 vjet funksionojmë në kuadër të Pallatit të Kulturës që është shumë e vështirë.’ -shprehet Arsim Fazlia- Drejtor në Teatrin e Tetovës.

Sipas Artan Asllanit, drejtor ushtrues në detyrë në Pallatin e Kulturës në Tetovë, tani pritet të përfundojë vetëm faza e parë e ndërtimit të Teatrit, dhe menjëherë do të hapet tenderi për fazën e dytë. Sipas tij, Pallati i Kulturës do t’i përgjigjet aktorëve, aq sa mundet, të vazhdojnë të punojnë dhe të mos e ndërpresin punën e tyre.

Ndërtimi i objektit të ri të Teatrit të Tetovës pritet që të përfundojë në vitin 2021. Ndryshe, deri më tani në Teatrin e Tetovës janë gjithësej 58 të punësuar prej të cilëve 27 janë aktorë, ndërsa të tjerët janë stafi teknik dhe administrativ. Në konkursin që pritet të hapet do të pranohen pesë aktore femra. /Blerona Jakupi/

 

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!