close

TETOVË: ÇËSHTJA E ZJARRFIKËSVE DREJT ZGJIDHJES

Gjatë ditës së sotme, kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi, ka pritur në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Administratës Shtetërore për të dëgjuar kërkesat e zjarrfikësve të NJTKZ – Tetovë.

Pas kërkesës së Sindikatës së Pavarur të Administratës Shtetërore, për takim me kryetaren e komunës së Tetovës Teuta Arifi, në lidhje me kushtet dhe pagat e zjarrfikësve në NJTKZ – Tetovë, ditën e sotme janë takuar të dyja palët. Arifi deklaroi se komuna e Tetovës ka pranuar në mënyrë të plotë kërkesat sa i përket sigurimit në punë dhe kontrollet shëndetësore, ndërsa kërkesat e tjera sa i përket pajisjeve të punës dhe bllokdotacionet, siç theksoi, nuk janë në kompetencë të komunës prandaj apeloi deri tek qeveria për shqyrtimin e të njëjtave.

‘Çështja e mjeteve të punës, sipas ligjit për Njësitë Kundër Zjarrit është obligim i Drejtorisë për Kriza, dhe kërkojmë që Drejtoria për Kriza e RMV-së, në shpërndarjen e mjeteve të punës kundër zjarrit, ta ndjek parimin e zhvillimit të barabartë rajonal, dhe në mënyrë të barabartë të ndajë mjete për të gjitha njësitë. Kërkojmë që Qeveria, do të drejtohemi edhe zyrtarisht deri tek ata, në mënyrë serioze të shikojë mbulimin e plotë të këtyre të punësuarve me bllokdotacionin dhe me mjetet të cilat i ka obligim ligjor.’- thekson Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Goran Ristevski, përfaqësues i Sindikatës së Pavarur deklaroi se takimi ishte pozitiv dhe se për disa nga problemet e tyre u gjet gjuha e përbashkët me kryetaren Arifi. Sa i përket, procedurave gjyqësore në lidhje me shtesat e pagave,  konkretisht 20%, Ristevski theksoi se janë dakorduar me kryetaren e komunës për një marrëveshje jashtë gjyqësore.

‘Paditë, që para së gjithash kanë të bëjnë me shtesat e pagave, ku si shtesë e pagës llogaritet 20% dhe ky 20% është dallimi mes një të punësuari në komunë dhe një tjetri në NJTKZ, d.m.th duhet që paga bazë e një zjarrfikësi të rritet për 20%, në bazë të vështirësisë së punës. Gjithashtu një pjesë e padive kanë të bëjnë me punën gjatë fundjavës, gjatë festave shtetërore, jashtë orarit të punës dhe bonuset.  Në fokus të këtij takimi ishte edhe formimi i një grupi të përbashkët punues, midis përfaqësuesve të komunës së Tetovës dhe sindikatës së pavarur, ku nëpërmjet komunikimit do të shtrohen problemet dhe do të zgjidhen problemet në mënyrë paqësore.’ – shprehet Goran Ristevski-Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore.

Grupi i përbashkët punues i cili do të harmonizojë dallimet për arritjen e marrëveshjes jashtë gjyqësore do të fillojë me punë nga java e ardhshme. Krahas çështjes së padisë, punëtorët e NJTKZ – Tetovë, kërkuan që të dyfishohet numri i zjarrfikësve në këtë njësit, sipas numrit të banorëve, me qëllim që të rritet siguria e qytetarëve. Poashtu, kërkuan që të gjithë zjarrfikësit të mbulohen me bllokdotacione nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes dhe jo vetëm 20 prej tyre siç është aktualisht. /Blerona Jakupi/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!