close

TETOVË: MBETURINAT INERTE PROBLEM PËR NPK-në

Ceka: Angazhim plotësues i policisë, inspektoriatit komunal dhe të ambientit jetësor


Moslargimi i mbeturinave për ditë me radhë, nga kontejnerët të cilët janë vendosur në pika të caktuara ka irrituar qytetarët e Tetovës. Nga NPK theksojnë se ka pasur problem me stacionin e ngarkim-shkarkimit, por problemi më i madh, siç sqarojnë nga kjo ndërmarrje, është hedhja e mbeturinave inerte, largimin e të cilave kjo ndërnarrje nuk e ka për obligim ta bëjë. Xhelal Ceka, drejtor i NPK-së apelon për një angazhim plotësues nga policia, inspektorati komunal dhe ai i ambientit jetësor për zgjidhjen e problemit me mbeturinat.

Që disa ditë radhazi kontejnerët  e stërmbushur me mbeturina nëpër shumë lagje të qytetit nuk janë zbrazur gjë që ka sjellë edhe shpërndarjen e mbeturinave në hapësira më të gjëra në vendet ku këto kontejnerë janë vendosur. Nga NPK – Tetovë deklarojnë se ka pasur një problem me stacionin e ngarkim-shkarkimit dhe prandaj ka pasur vonesa në grumbullimin e të njëjtave. Megjithatë, Xhelal Ceka, drejtor i NPK-së thekson se problemi nuk është mospastrimi i mbeturinave të amvisërive, por mbeturinat e forta të cilat kjo ndërmarrje nuk i ka në kompetenca që t’i largojë.

‘Ne kishim problem me stacionin e ngarkim-shkarkimit, që ishte një telash dhe shpresoj që kemi filluar me tërheqjen e atyre minideponive. Të gjithë këto persona të cilët hedhin bateri të ndryshme, dhe materiale të cilat dalin nga prishja e banesave, orenditë shtëpiake le t’i hedhin tek stacioni i ngarkim-shkarkimit, le ti hedhin tek gjelbërimi, nuk është shumë larg nga qyteti.’- tha Xhelala Ceka-Drejtor i NPK-së.

Ceka sqaron se shpesh herë është kërkuar bashkëpunim nga ana e policisë, inspektoratit komunal, por edhe inspektoratit të ambinetit jetësor për zgjidhjen e problemit me mbeturinat inerte sepse përveç problemeve të tjera shpesh kanë sjellë edhe prishjen e makinerive të NPK-së,  por deri më tani nuk ka pasur një angazhim nga ana e këtyre të fundit.

‘Ne kemi mbi pesë shkrime të cilat i kemi përcjellë deri tek policia, të cilat kontrollorët tonë kanë kapur me lloje të ndryshme të veturave, kamionetave, kemi përcjellë deri tek policia, mirëpo deri më tani nuk  ka informacion se dikush është dënuar ose është marrë ndonjë masë. I përcjellim edhe tek inspektorët komunalë me fakte dhe argumente.’ –deklaroi Xhelala Ceka-Drejtor i NPK-së.

Por edhe qytetarët shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me mbeturinat dhe të gjitha pasojat që grumbullimi i të njëjtave sjell.

Ndërkaq, lidhur me këtë problematikë, qytetarë nga disa lagje të Tetovës kanë menduar të gjejnë një zgjidhje, duke ndërmarrë iniciativë për largimin e kontejnerëve nga banesat e tyre për arsye se siç theksojnë qytetarë nga vende të tjera i sjellin materialet ndërtimore në kontejnerët e tyre.  Prandaj, edhe ndërmarrja ka tërhequr nga gjashtë pika disa prej tyre për të zbutuar kaosin që mbizotëron. /Blerona Jakupi/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!