Mbrëmë në hapësirat e kompanisë “Trokadero” edhe zyrtarisht u prezantua Klubi i Shahut Anpasan me seli në Tetovë. Me këtë rast të pranishëm karahas drejtuesve të klubit ishin përfaqësues të Federatës së Shahut të Maqedonisë Veriut, mjeshtër të lojës së shahut nga Shqipëria, Kosova e Serbia dhe shumë përkrahës të kësaj loje magjike. Sipas Nazmidin Imeri qëllimi primar i themelimit të Klubit të Shahut Anpasan është zhvillimi, përparimi dhe arritja e rezultateve të qytetarëve të Tetovës, në lojën e shahut.
“Ishte nevoja e duhur momenti i duhur dhe insistimi i shokëve, dashamirëve të shahut se Tetova ka kapacitet për shah ndaj edhe filluam iniciativën për hapjen e klubit” -deklaroi Nazmidin Imeri kryetar i klubit.
Në hapjen zyrtare i pranishëm ishte dhe kampioni i Shqipërisë mjeshtri Landi Pasku dhe kampionia e Serbisë Sandra Gjukiq, të cilët lujatën në simultane me anëtarët e klubit tetovar.
“Mesazhi edhe për prindërit, por edhe për ato që e duan shahun të japin mësime duke e futur shahun në shkolla. Kam 8 vjet që përfaqësoj Shqipërinë në Olimpiadat e shahut, në klubet sportive duke dhënë mësime sepse aty fillon ecuria e shahut.”-tha Landi Pasku, kampion i Shqipërisë në shah.
“Sinqerisht për mua kjo do të thotë shumë, shkaku se mendoj se shahu nuk është vetëm sport, por afron edhe njerëz nga vende të ndryshme. Për këtë jam tepër e nderuar që jam këtu të luaj simultan dhe të jem pjesëmarrës në hapjen e klubit të shahu.t” -tha Sandra Gjukiq shahiste nga Serbia.
Klubi i shahut Anpasan për momentin numëron dikund 8 anëatar të të gjitha moshave, por me pretendime që dita ditës të rritet dhe të përforcohen me mjeshtër të njohur.
“Me disa përforcime si me kampionin e Shqipërisë Landi Pasku edhe me atë të Kosovës Nderim Saraçin, vitin e ardhshëm në garat ekipore të Maqedonisë së Veriut të luftojmë për një vend shumë të mirë.” tha Florian Nesimi.
Klubi i ri i shahut Anpasan, aktualisht i vetmi në Tetovë, tani më zyrtarisht është anëtare e Federatës së Shahut të Maqedonisë së Veriut dhe do të jetë pjesë e kampionatit ekipor shtetëror. /Shaban Sinani/