Komuna nuk respekton të drejtat tona!
Sindikata e Zjarrfikësve në Tetovë kanë protestuar sot në mënyrë të qetë për të drejtat e tyre dhe kërkesat të cilat tani e sa kohë nuk merren në konsideratë. Të njëjtit kanë kërkuar takim me kryetaren e komunës së Tetovës, por kjo e fundit disa herë nuk e ka marrë në konsideratë kërkesën e tyre.
Nëpërmjet një proteste paqësore, Sindikata e Zjarrfikësve në Tetovë kanë kërkuar zbatim të ligjit për zjarrfikësit, respektimin e të drejtave të tyre, të drejtat për pagat, shtesat dhe të tjera. Goran Risteski nga kjo sindikatë thekson se herë pas herë kanë kërkuar takim me kryetaren e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, por ky takim nuk është marrë në konsideratë nga kjo e fundit.
‘Disa herë iu drejtuam kryetares Teuta Arifi, me të cilën kërkuam takim ku do t’ia paraqisnim vërejtjet dhe kërkesat tona në lidhje me të drejtat e shkelura të zjarrfikësve, të cilat sigurohen me ligjin për marrëdhënie pune dhe ligjin për zjarrfikësit. Me këtë protestë sindikata kërkon që të respektohet në tërësi neni 13 i ligjit për zjarrfikës, neni 17, 18 dhe 20, ku janë të sqaruara qartë të drejtat e tyre dhe jo vetëm obligimet.’-shprehet Goran Risteski – thonë nga Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore.
Fariz Xhemaili, i cili punon që 17 vite si zjarrfikës në Njësitin Territorial Kundër Zjarrit në Tetovë, deklaron se që një kohë të gjatë nuk janë duke i marrë mjetet që iu takojnë dhe se puna e tyre nuk vlerësohet aq sa e meritojnë.
Në lidhje me këtë protestë nga komuna e Tetovës kanë reaguar nëpërmjet një komunikate ku theksojnë se brenda javës së ardhshme, sindikata e zjarrfikësve do të thirret në takim.
‘Komuna e Tetovës është e gatshme të ulet dhe të dëgjojë hallet e tyre, dhe gjithsesi ti gjejë zgjidhje. Andaj, brenda javës së ardhshme, zjarrfikësit do t’i ftojmë në komunë. Kërkesat e zjarrfikësve për pajisje, siç janë kamionët dhe pajisjet e tjera kundër zjarrit, janë të kushtueshme për të cilat duhet patjetër ndihma e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe e Qendrës për mbrojtje dhe shpëtim.’ –reagojnë nga Komuna e Tetovës.
Zjarrfikësit kanë theksuar se në rast se kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë do të vazhdojnë me grevë dhe protesta në qytet. /Blerona Jakupi/