close

THAÇI ZBARDH KËRKESAT PËR SAMITIN E BERLINIT

Presidenti kosovar Hashim Thaçi shpalosi në Facebook çështjet që ka në plan të parashtrojë për diskutim të hënën në samitin e Berlinit. Kryesorja është liberalizimi i vizave.

“Pres nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron që të tregojnë mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si respektim i kontratës ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe e meriton lëvizjen e lirë si të gjithë qytetarët tjerë të rajonit dhe kontinentit. Nëse diçka e tillë nuk ndodh, takimi i Berlinit do të jetë zhgënjyes për qytetarët e Kosovës”.

Thaçi shkruan se do të kërkojë edhe dënimin e genocidit serb në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Megjithatë vëmendje të rëndësishme do t’i kushtojë dialogut me Serbinë.

“Në takim theks i veçantë do t’i jepet mundësisë së vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, që do të sjellë stabilitet edhe më të madh në Ballkanin Perëndimor”.

Krahas Presidentit Thaçi, delegacioni i Kosovës përbëhet edhe nga Kryeministri Haradinaj. Gjithsesi Kosova nuk ka një platformë zyrtare për diskutimet që do të shtrohen në samit. Ndryshe nga Thaçi, Haradinaj është kategorikisht kundër diskutimit të çështjes së korrigjimit të kufijve që po ashtu nuk mbështetet nga Merkel dhe Makron. Samiti organizohet nga liderët e Gjermanisë dhe Francës, me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Tv Klan