“The Guardian” vlerëson librin “Enver Hoxha” të Blendi Fevziut

E rendit mes 10 botimeve më të mira për komunizmin

Libri “Enver Hoxha: Grushti i hekurt i Shqipërisë” i gazetarit Blendi Fevziu, është përzgjedhur nga gazeta prestigjioze “The Guardian”, mes 10  librave më të mirë të shkruar mbi komunizmin.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Në një artikull special që u ka kushtuar librave historikë që hedhin më shumë dritë mbi historitë e vendeve që jetuan pas perdes së hekurt, gazeta britanike e cilëson librin e gazetarit Fevziu si një lexim tronditës që rrëfen më shumë për liderin e egër komunist që ekzekutoi shumë njerëz e konkurentë të tij dhe izoloi vendin nga pjesa tjetër e botës.

“Askund në Evropë nuk ishte më misterioze gjatë Luftës së Ftohtë se Shqipëria. Vendi ishte i izoluar edhe nga shtetet e tjera komuniste dhe diktatori Enver Hoxha, në fakt, e turpëroi kombin e tij nga të gjitha anët. Biografia e Fevziut është lexim tronditës. Si i ri, Hoxha “flinte deri në mesditë, rrinte zgjuar natën vonë dhe nuk kishte interesa të veçanta”. Por, sapo ai shënoi hapat e tij, ai vendosi ligje të çuditshme për shqiptarët dhe ua kaloi gjashtë ministrave të Brendshëm, pesë prej të cilëve i ekzekutoi”, thuhet në artikullin e “The Guardian”.

“The Guardian” e kishte vlerësuar librin Enver Hoxha të Fevziut edhe kur ai u botua në anglisht, duke publikuar një recensë të Johnatan Steele, një njohës shumë i mirë i historisë dhe politikës së Shqipërisë e Kosovës.

“Për të zbuluar se çfarë po ndodhte realisht në qarqet e partisë në pushtet nën ndikimin e Hoxhës, duhet t’i drejtoheni biografisë së studiuar mirë të Blendi Fevziut.”

Historiani i njohur britanik, Simon Sebag Montefiore, ka folur jo pak herë për rëndësinë e librit Enver Hoxha, një biografi e paautorizuar e dikatorit, e sjellë me fakte e dokumente historikë, duke e renditur atë ndër tituj e preferuar të tij dhe duke ua rekomanduar lexuesve.

“Për ata që janë të magjepsur nga pushteti, një biografi magjepsëse e mini-përbindëshave më të çuditshëm evropianë, Hoxha i Shqipërisë”, shkruhet në artikullin e “The Guardian”.

Libri “Enver Hoxha: Grushti i hekurt i Shqipërisë” është përkthyer në 12 gjuhë të ndryshme të botës.

Ndërsa në listën e 10 librave të përzgjedhur nga The Guardian qëndrojnë edhe “Tetë ditë në Jaltë”, nga Diana Preston, “Njeriu i Tretë” nga Graham Greene, Alex von Tunzelmann’s “Gjak dhe Rërë: Suezi, Hungaria dhe kriza që tronditi botën,   “Berlin 1961: Kenedi, Krushov dhe vendi më i rrezikshëm në botë nga Frederick Kempe. “Spiuni që erdhi nga i ftohti” nga John le Carré, “Dashuri e kuqe: Historia e një familje gjermano – lindore,” nga  Maxim Leo, “Qumështi sovjet” nga Nora Ikstena, Përgjatë buzës së pyllit: Një udhetim në perden e hekurt  nga Anthony Bailey, dhe  “Arinjtë që vallëzojnë: Historitë e vërteta të njerëzve nostalgjikë për jetën nën tirani” nga Witold Szabłowski.

Tv Klan

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share