close

 TIRANË: HAHN TAKON RAMËN-PRESIM DËNIME

Shqetësim numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarë


Bashkimi Europian kërkon që veprimet e kohëve të fundit kundër krimit të organizuar të pasohen me ndjekje penale dhe dënime përfundimtare. Në takimin që pati me kryeministrin Rama në Tiranë, Komisioneri i Zgjerimit shprehu shqetësimin edhe për numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë.

Arrestimet e kohëve të fundit në Shqipëri dhe proceset gjyqësore që kanë nisur ndaj personave të akuzuar për lidhje me krimin e organizuar sipas Bashkimit Europian duhet të çohen deri në fund nga drejtësia. Kjo thuhet në një njoftim që zyra e delegacionit europian në Tiranë shpërndau pas takimit që komisioneri Hahn pati me kryeministrin Rama pasditen e së enjtes.

“Veprimet e kohëve të fundit kundër krimit të organizuar si një shenjë pozitive në këtë drejtim, që megjithatë duhet të bëhet pjesë e një vazhdimësie arritjesh solide dhe të pasohet me ndjekje penale dhe dënime përfundimtare. Lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet mbeten prioritete në marrëdhëniet BE-Shqipëri.” thuhet në një njoftim që zyra e delegacionit europian shpërndau pas takimit.

Komisioneri kërkoi që ristrukturimi i gjyqësorit i Shqipërisë duhet të përfundojë brenda javëve të ardhshme, ndërsa në takim u diskutua edhe çështja e azilkërkuesve shqiptarë, ku numri i aplikimeve vijon të mbetet i lartë.

“Komisioneri shprehu shqetësim rreth numrit ende të lartë të aplikimeve të pabazuara për azil nga qytetarë shqiptarë në disa shtete anëtare të BE-së. Shkaqet themelore duhet të trajtohen dhe bashkëpunimi me qeveritë e shteteve anëtare të BE-së, të prekura nga ky fenomen, duhet të intensifikohet më tej.” 

Hahn nënvizoi po ashtu se është e rëndësishme të vijohet me impulsin e mirë të vitit të kaluar për të dhënë rezultate të prekshme në programin e reformave, çka është vendimtare per vendimin e qershorit të Këshillit të BE-së permes hapjes e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Komisioneri përsëriti se dialogu konstruktiv politik midis të gjitha partive politike është thelbësore për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe se një marrëveshje ndërpartiake për reformën zgjedhore bazuar në rekomandimet nga OSBE / ODIHR do të ishte një mundësi e mirë për ta treguar një gatishmëri të tillë. /Tv Klan/