close

TSIPRAS: NUK BËJMË PRAPA PËR MARRËVESHJEN E PRESPËS

Deputetët të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre


Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka theksuar edhe një herë vendosmërinë e tij për të votuar dhe vënë në zbatim marrëveshjen e Prespës. Tsipras foli të dielën në mbrëmje në Athinë, në një veprimtari të titulluar “Basti i Marrëveshjes së Prespës”, ku përveç figurave të partisë së tij SYRIZA, ndodheshin edhe përfaqësues nga forca të tjera politike të qendrës së majtë.

Fillimisht, kryeministri grek tregoi zanafillën e përpjekjeve që u kurorëzuan në qershor 2018 me nënshkrimin e marrëveshjes buzë liqenit të Prespës. Tsipras tha se kur në verën e 2017-s u zgjodh kryeministër Zoran Zaev, “u ndodhëm para një shansi të vërtetë, por edhe një dileme kruciale. Ne vendosëm të ngremë barrën historike, duke marrë përsipër edhe riskun politik, por edhe koston politike të kësaj procedure”, tha kryeministri grek.

Duke përgëzuar homologun e tij Maqedonas për kurajën, Tsipras theksoi se as ai nuk ka për të bërë prapa.

“Dua të falënderoj kryeministrin e Maqedonisë së veriut, Zoran Zaev për kurajën dhe guximin që tregoi që nga fillimi e deri në fund të procesit. Ta përgëzoj sepse nuk u zbraps përballë manifestimeve të nacionalizmit e të urrejtjes që organizoi VMRO… Ashtu siç nuk u zbrapsën ata, as ne nuk do të bëjmë prapa”, tha Tsipras, ndërsa salla reagoi me duartrokitje të fuqishme.

Në prag të mbërritjes në parlamentin grek të Marrëveshjes së Prespës, Tsipras u bëri thirrje gjithë deputetëve që të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre.

“Deputetët e parlamentit, të cilësdo partie qofshin, që do të ftohen të marrin një përgjegjësi historike, do të ngrenë zërin e ndërgjegjes dhe do të votojnë mbi bazën e ndërgjegjes së tyre dhe mbi bazën e asaj që përbën interes kombëtar.”- vlerësoi Kryeministri grek, Aleksis Tsipras.

Tsipras e mbylli fjalën e tij duke thënë se Marrëveshja e Prespës është edhe historike, edhe patriotike, edhe e dobishme për kombin. /Robert Goro/