Turqia ka hyrë në recesion në fund të vitit të kaluar, bëjnë të ditur të dhënat zyrtare. Sipas Institutit të Statistikave të Turqisë, ekonomia është tkurrur për 2.4% në çerekun e katërt të vitit 2018, krahasuar me çerekun paraprak.
Tkurrje për 1.6% ka pasur edhe në tremujorin e tretë. Rënia në dy çerekë një pas një e definon recesionin. Një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara ka bërë që monedha turke të bie dhe importet të shtrenjtohen. Vitin e kaluar, lira ka rënë për 30% kundrejt dollarit amerikan.
Dy vendet kanë qëndrime të kundërta për nja varg çështjesh, përfshirë mënyrën se si të luftohet grupi militant Shteti Islamik në Siri dhe planet e Turqisë për të blerë sisteme të mbrojtjes raketore nga Rusia. /Agjencitë/