close

TUSK: VENDIMI PËR HAPJEN E NEGOCIATAVE PËR MAQEDONINË JO DITËT E ARDHSHME

Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk ka deklaruar se çështja që shtrohet aktualisht nuk është nëse duhen hapur negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, por kur duhet bërë kjo.

Këto komente Tusk i ka bërë pas takimit në Bruksel me Presidentin Stevo Pendarovski. Korrespondentja e TV Klan, Erisa Zykaj, ndërkaq mëson nga burime të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian se shtetet anëtare po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt ndarjes së vendimit për Maqedoninë e Veriut nga ai për Shqipërinë dhe se vendimi për Maqedoninë mund tê merret në korrik.

Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk konsideron, se Maqedonia e Veriut ka bërë gjithçka i është kërkuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Këtë qëndrim ai e ka shprehur pas takimit me presidentin e Maqedonisë, Stevo Pendarovski në Bruksel. Për Donald Tusk, vetë zgjedhja e Pendarovskit krijon një bazë të fortë për stabilitetin institucional në vend, konfirmon orientimin eutoatlantik të vendit, forcon marrëdhëniet ndëretnike, si dhe marrëdhënie të mira me fqinjët. Tusk është shprehur se pyetja që shtrohet altualisht nuk është nëse duhen hapur negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, por kur duhen hapur. Ai ka thënë qartësisht se kjo nuk do të ndodhë në qershor.

“Që t’i përmbahem rolit tim të Presidentit të Këshillit Evropian, nuk dua të paragjykoj vendimin e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.  Ju keni bërë gjithçka që kërkohej prej jush. Por që të jem i ndershëm me ju, jo të gjitha shtetet anëtare janë të përgatituar për të marrë një vendim në ditët që vijnë. Unë mendoj personalisht, se mund të ketë vetëm një vendim dhe ky është fillimi i bisedimeve tê anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në përputhje me rekomandimin e Komisionit Europian. Çështja nuk është nëse duhen hapur, por kur duhen hapur. Nëse tregohem i kujdesshëm, do të thosha që arritja e konsensusit midis shteteve anëtare merr më shumë kohë se do të kisha dëshiruar.” -tha Donald Tusk, President i Këshillit Europian.

“Ne jemi një shembull i shkëlqyer në rajonin e Ballkanit. Ne u bëmë një shembull pozitiv në rajonin e Ballkanit me një angazhim pozitiv në zgjidhjen e mosmarrëveshje që zgjasnin prej dekadash. Ne arritëm vendime kurajoze pêr çështje shumë të ndjeshme për qytetarët tanë për të shembur barrierat drejt integrimit në NATO dhe në Bashkimin Europian. Ne nënshkruam marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe atë të fqinjësisë së mirë me Bullgarinë. Ne jemi i vetmi vend që nuk ka çështje tê hapura bilaterale me fqinjët.”-deklaroi Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut.

Burime të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian kanë treguar për KLAN Maqedoni, se shtetet anëtare po drejtohen gjithnjë e më shumë drejt ndarjes së vendimit për Maqedoninë e Veriut nga ai për Shqipërinë dhe se vendimi për Maqedoninë mund të merret në korrik. /Erisa Zykaj, Bruksel/