close

URBANIZIMI DHE KRITERET NË VEND

Jakupi: Planet gjenerale urbanistike me gabime!


Shumë qytete të vendit janë ndërtuar me plan gjeneral urbanistik të gabuar. Sipas ekspertëve qytetet janë në kaos dhe nuk mund të ajrosen si shkak i koncentrimit të madh të ndërtesave në qendrat e qyteteve, prandaj të njëjtit sugjerojnë që fillimisht të bëhet një plan gjeneral i mirëfilltë, pastaj inventarizimi i objekteve dhe më pastaj shqyrtimi në nivel të qytetit.

Ndërtimet e bëra pa leje dhe mandej legalizimi i të njëjtave i përkrahur nga ligji për legalizimet ka ndihmuar në urbanizmin pa kritere të vendit. Shumë qytete të Maqedonisë, kryesuar nga Shkupi janë ndërtuar nga gabimi i planit gjeneral urbanistik dhe të njëjtat frymojnë në kaos, deklaron arkitekti Enis Jakupi.

‘Gabimi më i madh që është bërë në këtë plan gjeneral urbanistik është se ky plan, është trajtuar, është hequr hekurudha që ka qenë në konceptin e lagjes Kapishtec dhe aty tani janë ndërtuar objekte shumë të larta. Rrymat e erës së trëndafilit që vijnë nga mali Vodno nuk mund të hyjnë në Shkup dhe sot kaosi më i madh ose ndotja më e madhe që vjen, vjen nga kjo. Njëjtë janë trajtuar edhe planet për qytetet e tjera.’ deklaroi Enis Jakupi – Arkitekt.

Sipas arkitektit Jakupi, që të kemi një plan gjeneral të mirëfilltë fillimisht duhet që të bëhet inventarizimi i objekteve dhe më pastaj shqyrtimi në nivel të qytetit.

‘Në koncepte të ndryshme i trajtojnë gjelbërimin, çfarë drunjsh kemi të mbjellur, dhe në bazë të këtyre koncepteve që i shohim në strukturë ne vijmë në përfundime të caktuara se ku dhe në cilën mënyrë duhet të intervenohet dhe në cilat procese trajtohen. P.sh, cila pjesë do të jetë pjesa qëndrore e qytetit, në cilën pjesë do ta ruajmë trashëgiminë kulturore, në cilën pjesë të qytetit do të parashohim koncepte të reja, pjesë të reja.’ shprehet Enis Jakupi – Arkitekt.

Ambientalisti Arijanit Xhaferri deklaron se keqndërtimi i objekteve të banimit përveç uzurpimit të hapësirave sjell ndotjen e ajrit dhe koncentrimin e ndërtesave vetëm në qendër të qyteteve me çka pjesët e tjera të të njëjtave pothuajse ngelin të zbrazura.

‘Koncentrimi i të gjitha ndërtesave të reja në zonën qendrore të qytetit shkakton kaos urbanistik, shkaku i ngritjes së vëllimit të trafikut drejtë qendrës. Lartësinë vërtikale e kanë më të lartë seç duhet me çka bllokohet edhe qarkullimi i ajrit dhe shpesh herë shumica e ndërtesave në Tetovë ngjiten me njëra-tjetrën dhe krijohet kanion urban ku nuk ka qarkullim të ajrit dhe për pasojë i gjithë tymi dhe pluhurat nuk pastrohen nga era.’ –vlerëson Arijanit Xhaferri – Ambientalist.

Në aspekt të ligjit për planifikim hapësinor dhe urbanistik, në R.M trajtohen 4 kategori të planeve: plani hapësinor i shtetit, planet gjenerale urbanistike të cilat sillen për njësi teritoriale komuna, planet detale urbanistike dhe planet hapësinore për fshatrat.  Sipas të dhënave plani hapësinor i shtetit  është hartuar në vitin 2002 dhe do të skadojë në vitin 2020. /Blerona Jakupi/