close

URIME NË SHKUP PAS CEREMONISË NË BRUKSEL

Pas nënshkrimit të protokollit për aderimin e Maqedonisë në NATO, në Shkup urime këmbyen përfaqësues qeveritar të cilët nuk kishin udhëtuar në Bruksel, me ambasadorin e Slovenisë në cilësinë e përfaqësuesit të NATO-s dhe gazetarët. Pas një ceremonie në Qeverinë e Maqedonisë, arriti edhe komunikata e Kryeministrit Zaev ku thuhet se vendi tashmë ka siguruar stabilitet të përhershëm, krah për krahu me aleatët e NATO-s, kurse gjeneratat e ardhshme do të jetojnë më mirë.

Duartrokitje dhe shtrëngime duarsh në press-qendrën qeveritare në Shkup. Disa përfaqësues qeveritar, në një tavolinë të përbashkët me ambasadorin e Slovenisë uruan njëri-tjetrin, prej se dëgjuan urimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg drejtuar Ministrit të jashtëm të Maqedonisë Nikola Dimitrov në ceremoninë e Brukselit dhe rikujtimin se kjo ditë historike për Maqedoninë nuk duhet harruar, e as lapsi me të cilin 29 ambasadorët nënshkruan protokollin.

Shefi I Zyrës së NATO-s në Shkup, Zoran Jankoviq, përvec urimeve për Maqedoninë, shfaqi shpresën se ratifikimi I procesit aderues do të jetë I lehtë, kurse ekipi I tij është I gatshëm të ndihmojë në procesin e mëtejshëm të integrimit.

“E di se ka program për vazhdimin e reformave që do ta ndjekni dhe ne jemi të bindur se ky proces do të jetë i suksesshëm, kurse vendi juaj së shpejti do të jetë anëtare fuqiplotë e NATO-s. Ju do të merrni pjesë si vend i ftuar në të gjitha takimet dhe më vjen mirë që kemi edhe një anëtare në aleancë” deklaroi  Zoran Jankoviq – Shef i zyrës së NATO-s në Shkup.

Në urimin e Kryeministrit Zoran Zaev drejtuar qytetarëve të Maqedonisë thuhet se aleanca më e madhe e sigurisë në botë, sot i ka dëshiruar mirë se ardhje Maqedonisë.

“Kjo është një ditë historike për qytetarët tanë. Sot u ulëm në në një tavolinë me aleatët tanë. Jemi të lumtur dhe duhet të jemi ngase siguruam stabilitet të përhershëm për vendin tonë.Progresi dhe zhvillimi tani janë të pandalshëm. Brezat e tashëm e të ardhshëm do të jetojnë më të lumtur.” – shprehet Kryeministri i vendit Zoran Zaev.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë ka uruar qytetarët duke i falënderuar për durimin tashmë dy dekada e gjysmë.

“Mençuria juaj dhe durimi që të mos i pranoni thirrjet për konflikte dhe ndarje dhe të zgjidhni politika që cojnë drejt prosperitetit ekonomik, sigurisë sot sollën rezultatin e parë”  vlerëson Mile Boshnjakovski – Zëdhënës i Qeverisë Së Maqedonisë.

Ditëve në vijim pritet që Greqia të jetë vendi i parë që do të ratifikojë protokollin në parlamentin e Athinës. Në të njëjtin moment do të hyjnë në fuqi amendamentet kushtetuese që I miratoi parlamenti në Shkup, kurse Republika e Maqedonisë do të bëhet Republika e Maqedonisë së Veriut. Dy vendet më pas do ti njoftojnë Kombet e Bashkuara dhe organizmat tjerë ndërkombëtar se kontesti shumëvjecar për emrin është tejkaluar. /Klan Maqedoni/