close

UT: NGA SOT E DERI MË 30 GUSHT AFATI I PARË I REGJISTRIMEVE

Nga sot e deri më 30 gusht do të zhvillohet afati i parë i regjistrimit në UT. Këtë vit risi është që aplikimet realizohen në formën online. Nga ky universitet bëjnë me dije se për këtë vit parashihet që të regjistrohen mbi dy mijë studentë.

Nga sot e deri të premten më 30 gusht në Universitetin e Tetovës do të zhvillohet afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj në 60 programe studimore, përkatësisht në 13 fakultete. Këtë vit, siç informojnë nga ky universitet aplikimet për regjistrim do të realizohen online.

‘Në bazë të konkursit që është shpallur tani ne kemi vërejtur se përmes formës on-line ekziston një interesim i madh për t’u regjistruar në universitetin tonë. Edhe në ditën e sotme që në orët e para mjaftë kandidatë kanë ardhur që të aplikojnë për t’u regjistruar në universitetin tonë.’- tha Reshat Qaili-Prorektor për Arsim.

Prorektori për arsim, Reshat Qaili thekson se kërkesa për hapjen e disa disperzimeve në Shkup dhe Kumanovë, është refuzuar nga Ministria e Arsimit, pa një arsyetim se pse.

‘Këshilli i UT-së mori vendim që me konkursin që propozuam ne si universitet t’i hapim disa disperzime, si në Shkup ashtu edhe në Kumanovë, mirëpo propozimi jonë nga Ministria e Arsimit nuk ishte miratuar kështu që disperzime nuk do të ketë as në Shkup as në Kumanovë. Nuk kemi marrë asryetim se pse.’ –deklaroi Reshat Qaili-Prorektor për Arsim.

Rezultatet preliminare të këtij afati regjistrimesh do të bëhen të ditura të hënën e ardhshme. Ndërkaq afati i dytë do të zhvillohet nga 10 deri më 13 shtator. Ndryshe, nga universiteti bëjnë me dije se për këtë vit parashihet që në UT të regjistrohen mbi 2 mijë studentë. /Blerona Jakupi/