close

UZURPIMI I PRONAVE PUBLIKE

Eco Guerrila: T’i merren ingerencat komunës së Tetovës


Me anë të një press-konference Lëvizja Eco Guerrila bëri të ditura informacionet e marra nga Njësia për Kadastër të Patundshmërive – Tetovë, lidhur me uzurpimin e hapësirave publike. Nga kjo lëvizje theksojnë se inspektoratet përkatëse dhe policia e trafikut kanë dështuar në mbrojtjen e këtyre hapësirave prandaj i bënë thirrje kryeministrit të vendit Zoran Zaev që t’ia heq ingerencat komunës së Tetovës.

Qyteti i Tetovës është shndërruar në një katrahurë urbane, deklaruan nga Lëvizja Eco Guerrila, gjatë press konferencës së organizuar në lidhje me uzurpimin e pronave publike. Duke u bazuar në të dhënat e marra nga Njësia për Kadastër të Patundshmërive – Tetovë, nga kjo lëvizje pohojnë se qytetit çdo ditë e më tepër i zvogëlohen hapësirat e gjelbërta, ndërkaq siç theksojnë, inspektoratet dhe policia e trafikut nuk po ndërmarrin asgjë për ta parandaluar këtë.

“Inspektoratet përkatëse bashkë me policinë e trafikut kanë dështuar tërësisht për të vendosur rendin dhe ligjin, parandalimin e ndotjes së e ajrit, ujit dhe tokës si dhe çlirimin e hapësirave publike që po uzurpohen para syve tona. Tetovës përditë e më shumë i zvogëlohen edhe ato pak hapësira të gjelbërta që kanë mbetur. Shembulli i fundit, siç mund ta shihni edhe në video është shkatërrimi dhe uzurupimi i hapësirave publike të gjelbërta në qendër të qytetit, përgjatë rrugës Boris Kidriç.” –tha Arianit Xhaferi- Eco Guerrila.

Prandaj, nga Eco Guerrila, i bëjnë thirrje kryeministrit të vendit, Zoran Zaev që të marrë masa në lidhje me këtë dhe komunës së Tetovës t’ia heq ingerencat.

“Kërkojmë nga JU që të të ndërmerrni të gjitha masat e duhura për t’i hequr Komunës së Tetovës ingerencat mbi aktivitetet ku e njëjta ka dështuar tërësisht të menaxhojë. Prokuroria publike duhet të hetojë të gjitha rastet për keqpërdorim të mundshëm të detyrës zyrtare. Për këto dështime edhe Ju si Kryetar i Qeverisë së RMV-së duhet të mbani përgjegjësi dhe të ndërhyni që gjendja sa më parë t’i kthehet normalitetit bashkë me shtetin e së drejtës edhe në Tetovë.”-shprehet Arianit Xhaferi- Eco Guerrila

Ndërkaq, lidhur me këto akuza, komuna e Tetovës zgjodhi të mos prononcohet. /Blerona Jakupi/

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!