Kushtet më të mira për jetesë kanë bërë që shumë qytetarë të lënë vendlindjen dhe t’ia mësyjnë perëndimit. Mendohet se në 20 vitet e fundit midis 450 dhe 600 mijë njerëz janë larguar nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Mërgimtarët e anketuar nga televizioni ynë sqarojnë se cili është ndryshimi mes vendit tonë dhe vendeve ku ato kanë emigruar.
Arsyet e largimit nga vendi janë të qarta, por numri konkret se sa qytetarë kanë braktisur vendin nuk është i ditur deri më tani. Mërgimtarët e anketuar nga Klan Maqedoni deklarojnë se jeta që bëjnë në perëndim është më e mirë dhe më e lehtë se në vendlindje. Megjithatë, siç shprehen, familja dhe të dashurit që kanë lënë këtu janë shkak që së paku pushimet, t’i kalojnë në vendlindje.
Edhe pse nuk ka asnjë statistikë të saktë apo një analizë që të sqaronte detajisht se sa njerëz janë larguar nga vendi dhe në cilat shtete të BE-së drejtohen, thuhet se midis 450 dhe 600 mijë njerëz janë larguar nga Republika e Maqedonisë së Veriut në njëzet vitet e fundit. Ndërkohë sipas një njoftimi të fundit të Ministrisë së Jashtme gjermane thuhet se në vitin 2018 gjithsejt 18.478 shtetas të Maqedonisë janë larguar për në Gjermani. Prej tyre, 7812 kanë mbetur në këtë vend edhe gjatë këtij viti, kurse 10.666 janë kthyer në Maqedoni. /Blerona Jakupi/