Komisioni për përzgjedhje, i cili u formua për ta bërë rangimin e 57 kandidatëve që u paraqitën për anëtarë të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit filloi me punë. Gjatë ditës së sotme, po intervistohen 15 anëtarë, mes tyre edhe një ish-funksionare e LSDM-së, por dy kandidatët që lanë më shumë përshtypje, ishin Nuri Bajrami dhe Leposava Sokolovski – Velinov.
Edhe pse kishte CV mbresëlënëse, Leposava Sokolovski Velinov, u shkarkua me një vendim të Qeverisë në mes të mandatit si numër 1 i Trupit për Revizion të IPA fondeve, kurse arsyen e shkarkimit tha se duhet ta kërkojnë tek Qeveria.
“Dikush nëse përdor para shtetërore, ai e ka për përgjegjësi që të sigurojë të gjitha dokumentet dhe t’i jep në dispozicion institucionit kompetent. Jam shumë e lumtur që në ligjin aktual kjo është e potencuar, secili duhet ta kryej punën për të cilën është emëruar, posaçërisht në sektorin publik, pa marrë parasysh se në cilin funksion apo pozitë është i emëruar. Ai që do të keqpërdor para, duhet që ta rregullojmë sistemin që të mundësoj që t’i kthej të njëjtat, e kjo të prezantohet publikisht, që të dihet se përse i ka kthyer.” -deklaron Leposava Sokolovski – Velinov.
“Unë nuk do të hesht! Nëse nuk mund të imponoj qëndrim në komision, të jeni të sigurt që së paku do të luftoj që ata dyer publikisht të hapen dhe të gjithë pjesëmarrësit të jenë të sigurt se gjithçka do të jetë publike dhe të gjithë do të kenë hisen e vet në ngritjen e Anti-korrupsionit në nivel evropian.”-shprehet Nuri Bajrami.
Zgjedhjet presidenciale po afrohen, e me këtë edhe afati për zgjedhjen e anti-korrupsionit po shkurtohet. Pikërisht për këtë shkak, komisioni për përzgjedhje punoi edhe sot, por jo edhe shërbimet e Kuvendit. Materialet e nevojshme nuk ishin të përkthyera në dy gjuhë, ashtu siç e parashikon ligji, kurse nuk ishin të publikuara as në ueb faqen e Kuvendit.
Pas përfundimit të intervistave, komisioni ka afat 3 ditor që të dorëzoj listën e kandidatëve më të mirë, e më pas, Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve në afat prej 5 ditëve, do të duhet ta propozoj përbërjen plotë të komisionit. Komisioni do të duhet të përbëhet prej 6 anëtarëve, dhe kryetarit. /Furkan Saliu/