close

VETTINGU NË MPB: TAKIMI I PARË I GRUPIT TË PUNËS

Dekani Dujovski në krye të Grupit të Punës


U mbajt takimi i parë i grupit të punës i formuar nga ministri për punë të brendshme, Oliver Spasovski, pas konkluzioneve të Qeverisë, e cila ka për detyrë të zbatojë analizë për gjendjen aktuale, të vërtetojë model konkret për zbatimin e procesit të verifikimit (veting) të të punësuarve në Ministrinë për punë të brendshme, përkatësisht të përgatisë propozim-plan për masat, aktivitetet dhe dinamikën e zbatimit të vetingut.

MPB do të jetë institucioni i parë shtetëror ku do të zbatohet vetingu i shumëpritur. Sot në ministri u mbajt takim i Grupit të Punës që duhet ta përgatisë planin për zbatimin e vetingut, ndërsa në mbledhje është vendosur që grupin ta udhëheqë Dekani i Fakultetit për Siguri, profesori Nikolla Dujovski. Dujovski mendon se do të arrijnë ta përgatisin programin për zbatimin e procesit më së voni deri në fund të muajit të ardhshëm, siç edhe ka kërkuar Qeveria.

Grupi i Punës që duhet ta formulojë planin për zbatimin e procesit është i përbërë nga përfaqësues të MPB-së, Sindikata Policore e Maqedonisë, përfaqësues të Misionit të OSBE-së, Ambasada e SHBA-ve, sektori joqeveritar dhe opinioni akademik. Për mënyrën si do të realizohet vetingu, MPB është konsultuar me kolegët nga Shqipëria, ku ky proces ka përfunduar, ndërsa qindra zyrtarë policorë dhanë dorëheqje pasiqë refuzuan të merren në pyetje për prejardhjen e pasurisë që e kanë fituar gjatë kohës së shërbimit.

Vetingun në MPB-në e paralajmëroi ministri Oliver Spasovski, ndërsa opozita menjëherë reagoi se bëhet fjalë për përplasje me kundërshtarët politikë dhe profesionistët në ministri. Zyrtarët policorë në të kaluarën në momentin e punësimit ishin të obliguar të dorëzojnë pyetësor, por ata askush nuk i ka kontrolluar asnjëherë. Në janar, me ndryshimet e ligjit për parandalim të korrupsionit dhe përplasjen e interesave ky detyrim për policët u shfuqizua, megjithë kritikat e opinionit të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtar. /Klan Macedoni/