close

(VIDEO) ATHINË: ZGJEDHJET- PËRSE TË RINJTË KTHEHEN KAH KONSERVATORËT

Kriza financiare dhe pasojat e saj, të cilat në Greqi ndjehen më shumë se një dekadë, detyruan qindra mijëra të rinj të shpërngulen nga vendi, ndërsa ata që mbetën, në masë të madhe janë të dëshpëruar nga qeveria në Athinë. Tani, disa ditë para zgjedhjeve parlamentare, një numër i madh i votuesve të rinj kthehen kah opozitarja Demokracia e Re. Arsyeja kryesore është shpresa për politikë më të mirë ekonomike.

Si shumë të rinj tjerë grekë, 22 vjeçari Tasos Stavridis planifikon të largohet nga vendi pasi të diplomojë. Gjenerata e tij pothuajse gjysmën e jetës e ka kaluar në krizë, ndërsa shkalla e papunësisë te të rinjtë nga viti 2010 deri tani është rreth 40%.

“Kriza financiare zgjatë shumë më tepër sa e kishim planifikuar, jemi të rraskapitur. Shumica e shokëve të mi planifikojnë të largohen. Në Greqi pagat janë të ulta, ndërsa gjendja ekonomike edhe më tej është e keqe”. – tha Tasos Stavridis njëri nga qytetarët.

Derisa Greqia përgatitet për zgjedhje të përgjithshme më 7 korrik, të rinjtë ia kthejnë shpinën SIRIZA-s – partisë qeveritare e cila në vitin 2015, deklarohej e orientuar kah gjenerata e tyre. Në zgjedhjet e muajit të kaluar për Parlamentin Evropian, shumica e të rinjve ose pak më shumë se 30% e votuesve në moshë nga 18 deri në 24 vjet, e mbështetën opozitaren Demokracia e Re nga qendra politike, e cila llogaritet si pjerësisht përgjegjëse për futjen e vendit në krizë financiare para një dekade. Lideri i saj, Kirjakos Micotakis, i cili pritet të fitojë në zgjedhje, premton tatime më të ulta, privatizim të gjërë të shërbimeve publike dhe bisedime të reja me kreditorët grekë, që sasi më të mëdha të parave të investohen në vend.

“E saktë, edhe unë i fajësoj ata për krizën, por mendoj se Micotakis ka bërë shumë ndryshime. Pajtohem me planin ekonomik që e ka partia dhe besoj se ai do të ndihmojë që të tejkalohet kjo situatë.” –deklaroi qytetari Tasos Stavridis.

Zoi Babaolu ka vetëm 19 vjet, ndërsa votën e saj në zgjedhjet evropiane e dha për Demokracinë e Re. Në fillim të krizës, babai i saj ka mbetur pa punë, kështu që familja vazhdon të ndjehet e dëshpëruar dhe e tradhtuar.

“Në zgjedhjet që kaluan familja ime e mbështeti të majtën, por doli se në vend u bë edhe më keq. Tani mendoj se është më së miri të kthehemi te opsioni më i sigurtë.” shprehet qytetarja Zoi Babaolu.

Qeveritarja SIRIZA e kryeministrit Aleksis Cipras erdhi në pushtet me platformë të qartë kundër establishmentit në Greqi, por si duket zhgënjeu shumë nga votuesit e saj, për shkak të injorimit të rezultatit nga referendumi për pakon financiare me anëtaret e Euro – zonës për dalje nga kriza. Edhe pse Demokracia e Re deklarohet si liberale rreth çështjeve të ekonomisë, qëndrimet e saj sociale janë konservative – në qendër të vëmendjes ka “familjen dhe kishën”, ndërsa Micotakis kthehet edhe nga e djathta radikale me premtimin për ndalimin e procesit të shpërnguljes. Për dallim nga ai, SIRIZA, miratoi ligj për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT dhe angazhohet për ndarjen e kishës nga shteti në Greqi.

“Të jem i sinqertë, nuk jam krenar me këtë politikë sociale, por besoj se nëse angazhohemi për përmirësim të ekonomisë, do të jetë më e lehtë që në të ardhmen të zbatohet edhe liberalizmi social.” –vlerëson qytetari Tasos Stavridis.

“Në vitin 2015 votuam për ideologji, dhe nuk pamë ndryshime. Për këtë arsye tani jam më e interesuar për masat ekonomike.” –përfundon qytetarja Zoi Babaolu.

Kur flasin për politikë, te të rinjtë grekë ndjehet cinizëm, sidomos kur bëhet fjalë për çështjet rreth korrupsionit dhe meritokracinë e pamjaftueshme, probleme të cilat i përshkruajnë si kyçe për shkallën e lartë të shpërnguljes. Janë të vetëdijshëm se Kirjakos Micotakis vjen nga një prej dinastive politike më të vjetra në vend, por thonë se “nuk mund të jetë më keq se kaq”. /Biljana Georgievska/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!