close

(VIDEO) BËRNABIQ: ‘SKANDALOZ’ MOSREAGIMI I SHBA-së DHE BE-së

Kryeministrja serbe kritikon marrëveshjen Tiranë-Prishtinë


Pas nënshkrimit në Tiranë të Marrëveshjes ndërministrore mes Shqipërisë e Kosovës për bashkim të përfaqësive diplomatike e konsullore dhe për bashkëpunim strategjik në fushën e politikës së jashtme, ka reaguar kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Ajo e ka cilësuar si skandaloz edhe mosreagimin e Uashingtonit dhe të Brukselit.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, trasmeton Klan Macedonia, e ka cilësuar si skandaloze marrëveshjen e sapofirmosur ndërministrore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo i tha televizionit PINK se është e habitur edhe nga heshtja e komunitetit ndërkombëtar ndaj paralajmërimit të Tiranës e Prishtinës zyrtare për veprim të përbashkët diplomatik dhe siç tha, politikën e jashtme të përbashkët:

‘Është e tmershme, është e tmershme. Është skandal që ende nuk kemi pare asnjë reagim zyrtar as të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, as të Bashkimit Evropian. Kjo nuk është naive, kjo është tejet serioze,’– tha kryeministrja serbe duke varur shpresën tek shefi i ri i politikës së jashtme, kryediplomatit spanjoll, vendi i të cilit nuk e ka njohur Kosovën.

Ana Bërnabiq, pas takimit me Eliot Engel, kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, tha se ka përshtypjen se nuk pritet për së shpejti që të vazhdojë dialogu mes Prishtinës e Beogradit. Megjithëse ritheksoi qëndrimin se dialogu duhet të zhvillohet nën kujdestarinë e Bashkimit Evropian, ajo la të hapur mundësinë që në lehtësimin e tij të përfshihet edhe administrata amerikane, por edhe, sikurse nënvizoi, vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. /Klan Macedonia/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!