close

(VIDEO) EKIPI I RI I BE-së: ABDULLAI – KOMPROMIS I MIRË

Ish-Diplomati Enver Abdullai përzgjedhjen e re të ekipit të Bashkimit Evropian e quan si kompromis të mirë, ku siç shprehet prioritet i është dhënë çështjeve gjinore, për shkak se dy gra pritet të marrin poste të rëndësishme. Sipas tij, krerët e BE-së përfundimisht kanë zgjedhur që të marrin në dorë implementimin e agjendave evropiane.

S`do mend se ekipin e ri të BE-së e presin probleme dhe sfida serioze, thotë ish-Diplomati Enver Abdullai, duke përmendur në këtë rast, reformimin e brendshëm, por edhe largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, Rusinë, Kinën apo fërkimet në distancë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shefi i Diplomacisë spanjolle Zhosep Borel do të jetë pasues i Federica Mogherinit. Kur dihet se Spanja nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës janë ngritur çështje se si do të reflektohet kjo në çështjen e Kosovës, në dialogun me Serbinë. Abdullai thotë se ekipi i ri  ka përkrahje nga krerët e BE-së, para së gjithash nga Kancelarja gjermane Merkel e Presidenti i Francës Macron, në strategjinë drejt Ballkanit Perëndimor.

Sipas ish-diplomatit Abdullai në përzgjedhjen e ekipit të ri prioritet i është dhënë çështjeve gjinore, ku dy gra pritet të marrin poste të rëndësishme. Mediat shkruajnë se kjo ka qenë një fitore e papritur e Merkelit. Gjysmë shekulli Gjermania nuk kishte patur njeriun e tyre në krye të Komisionit Evropian, kurse Ursula Fon der Lajen do të duhet të bëhet gruaja e parë në këtë funksion. /Klan Macedonia/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!