close

(VIDEO) HIMNI I VENDIT SHKAKTOI REAGIME

Lëshimi i një strofe të himnit, ku numërohen personazhet historike dhe revolucionarët, nxiti reagime ndaj këngëtares Tamara Todevska, por edhe akuza të ndërsjella në mes politikanëve. Ambasada Amerikane, në manifestimin e së cilës në Ditën Kombëtare – 4 korriku, u këndua version i shkurtuar, sqaron se bëhet fjalë për “lëshim të paqëllimshëm në momet emocional”. Tamara kërkoi ndjesë, ndërsa pushteti dhe opozita po sulmojnë njëra-tjetrën në moment kur vendi realisht po negocion me Bullgarinë fqinje rreth asaj se trashëgimi historike e cilit shtet është revolucionari Goce Dellçev?

Mbrëmë para qindra të ftuarve në manifestimin e Ambasadës amerikane, për Ditën e Pavarësisë – 4 korrikun, këngëtarja Tamara Todevska nuk i këndoi katërrreshta të himnit zyrtar të Maqedonisë, edhe atë pikërisht ku përmenden revolucionarët Goce Dellçev, Pitu Guli, Dame Gruev, Jane Sandanski…

Por, version të këtillë të shkurtuar të himnit Tamara ka kënduar edhe më parë:

Nikoqiri i ngjarjes, Ambasada Amerikane menjëherë sqaroi se bëhet fjalë për gabim të paqëllimshëm.

“SHBA-të e respektojnë traditën, historinë, heronjtë dhe të ardhmen e mikut, partnerit dhe aleatit tonë – Maqedonisë së Veriut. E kuptojmë se në momente emocionale mund të ndodhin gabime të paqëllimshme. I falënderojmë këngëtarët për interpretimet e tyre të shkëlqyeshme mbrëmë.” -deklarojnë nga Ambasada e SHBA-ve.

Pasoi edhe kërkimfalja për lëshimin e bërë edhe nga këngëtarja Todevska, përmes rrjetit social Fejsbuk.

“Më lejoni që nga thellësia e zemrës sime t’u kërkoj falje për gabimin e djeshëm. Nuk ekziston nder më i madh për një artist se sa këndimi i himnit kombëtar dhe pikërisht për këtë arsye e pranova ftesën nga ambasada e SHBA-ve. Nuk ka fjalë me të cilat mund ta përshkruaj pikëllimin tim për lëshimin që e bëra gjatë këndimit të himnit.” -shprehet në rrjetin social fejsbuk këngëtarja Tamara Todevska.

Por, opozitarja VMRO-DPMNE në versionin e shkurtuar të himnit sheh “ kënaqësi për politikat e gabuara të qeverisë”.

“Si duket interpretimi i himnit nga Tamara Todevska ishte një mënyrë që të kënaqen politikat e gabuara të Zoran Zaev, të krijuara në periudhën e kaluar në llogari të interesave shtetërore dhe kombëtare, këtë herë në llogari të miqësisë maqedono – amerikane.”-deklaroi Naum Stoillkovski, VMRO DPMNE.

Gabim i paqëllimshëm – deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

“Mund të bëhet një lëshim, himni i RMV-së këndohet çdo ditë, çdokund, dhe kjo vërteton se bëhet fjalë për gabim të paqëllimshëm”. thekson Kryeministri Zoran Zaev.

Shkalla e ndjeshmërisë rreth çështjes së revolucionarëve nga fillimi i shekullit të 20-të, të cilët edhe Maqedonia edhe Bullgaria i konsiderojnë si pjesë e historisë së tyre, është ngritur për shkak të pengesave në të cilat hasi komisioni i përzier për tejkalimin e dallimeve në librat e historisë, në pajtim me Marrëveshjen e nënshkruar për marrëdhënie të mira fqinjësore midis dy vendeve. Derisa për maqedonasit Goce Dellçev është pjesë e luftës dhe rilindjes maqedonase, bullgarët e konsiderojnë si bullgar dhe pjesë të historisë dhe kulturës së tyre. Nga Sofja zyrtare nuk përjashtohet që kjo çështje të pasqyrohet edhe në pritshmëritë e Maqedonisë për fillim të shpejtë të negociatave me Bashkimin Evropian, për çka të gjitha vendet anëtare të organizatës, mes të cilave edhe Bullgaria, duhet të japin dritë jeshile. /Verica Dimitrijevska/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!