close

(VIDEO) KUVENDI VOTOI MINISTRAT E RINJ

Kryeministri udhëheq me Financat deri në zgjedhjen e Ministrit


Parlamenti i Maqedonisë së Veriut votoi riformatimin e Qeverisë. Deputetët i dhanë vizë propozimit të Kryeministrit, Zoran Zaev për emërimin e pesë ministrave të rinj. Riformatimi i Qeverisë pason të ashtuquajturin procesi “Fshesa”, të cilin kryeministri Zaev e kishte paralajmëruar gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale.

Me 65 vota “Për” dhe 25 “kundër” në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut kaloi propozimi për zgjedhjen e pesë ministrave të rinj në Qeveri. Kryeministri Zaev në fjalën e tij përfundimtare theksoi se në kushte kur vendi deri në fund të vitit pret hyrje në NATO dhe fillimin e negociatave me BE-në duhet të maksimalizohen efektet e reformave.

“Në një situatë të këtillë maksimalisht duhet të përkushtohemi për reforma të përgjithshme në vend, me impakt maksimal, për të cilët besoj se pjesa më e madhe e reformave janë në përgjegjësinë tonë personale e individuale duke filluar nga Kryeministri, Ministrat por edhe qytetarëve, për ta rritur kapacitetin e përgjegjësisë, ndershmërise. Padyshim se kjo është periudha që nuk duhet ta lëshojmë.” –deklaroi Kryeministri Zoran Zaev.

Debati dyditor për riformatimin qeveritar në Kuvend, kaloi në debate të ashpra mes opozitës dhe pozitës, nëse riformatimi është sa për sy e faqe apo thelbësor.

“Për shkak të paaftësisë vendosët të sakrifikoni një pjesë të vogël të bashkëpunëtorëve tuaj të pasuksesshëm, por pjesa më e madhe që dëshmuan se nuk kanë kapacitete minimale për të udhëhqehur institucionet, mbetën në pozitate tyre që t’i shkaktojnë edhe më tej dëme shtetit”- tha Nikola Micevski- VMRO DPMNE.

Për Ministra të rinj janë zgjedhur Naser Nuredini, Ministër i Ambientit Jetësor, Goran Milevski, Ministër i Pushtetit Lokal, Sadulla Duraku, Ministër për Sistem Politik, Trajan Dimkovski, Ministër i Bujqësisë dhe Hysni Ismaili, Ministër i Kulturës. Pozita e Ministrit të Financave mbetet e zbrazët, prej se Kryeministri Zoran Zaev tërhoqi kandidaturën, por do ta udhëheq këtë resor deri në zgjedhjen e Ministrit të ri.  Pas votimit Ministrat e sapoemëruar dhanë deklaratë solemne. /Klan Maqedoni/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!