Ragmi Mustafës, kryetarit të këshillit kombëtar shqiptarë, kësaj radhe i ka penguar vërtetë mënyra e shprehjes së ministrit të mbrojtjes së Serbisë pasi ai i quan shqiptarët me një term pezhorativ “shiptari”. Mustafa i është drejtuar një gjykate të Beogradit zyrtarisht me një padi kundër ministrit Aleksandar Vullin. Thotë se kjo është e patolerueshme kur vjen nga një ministër dhe andaj çështjen do ta çoj deri në fund.
Por, ministri dhe partia e tij e quajnë krenari dhe në një deklarim kanë thënë se ëndërra e Mustafës është Shqipëria e madhe dhe kjo është arsye e padisë ndaj tij.
Kryetari I trupit koordinues për jugun e Serbisë, një organ qeveritar për vendet ku jetojnë shqiptarët, thotë se politika nuk përzihet.
“Nëse Mustafa mendon se dikush e ka ofenduar ose shkelur ligjin dhe i është drejtuar gjykatës, atëherë kjo duhet të zgjidhet në bazë të ligjit. Ne nuk kemi drejt të përzihemi në drejtësi.” tha Zoran Stankoviq, Trupi Koordinues për Jugun
Mustafa në Bujanoc, thotë se termi “shiptari” është ofendues pasi është shpikur për tu përdorur në këtë kontekst. Këtë gjuhë së fundmi në Serbi e kanë kthyer shumë media duke mos thënë “albanci” sic thuhet serbisht, por “shiptari”. Këshilli nuk arrijnë të padis aq sa ky term përdoret.
Gjykatat në Serbi disa herë e kanë dënuar këtë gjuhë në të shkuarën dhe është ndaluar me ligj. Por, kjo nuk duket më shumë e rëndësishme. Shqiptarët besojnë se nëse gjykata është e paanshme, ata do të fitojnë. /Idro Seferi, Beograd/